Presidenti francez Emmanuel Macron ishte ai që parashtroi fillimisht idenë e Komunitetit Politik Europian, gjatë fjalimit të tij në Parlamentin Europian në Strasburg më 9 maj 2022, me qëllim nxitjen e dialogut politik dhe bashkëpunimit që synon zgjidhjen e çështjeve me interes të përbashkët, si dhe forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit të kontinentit evropian.
Ish kancelari gjerman Olaf Scholz e mbështeti shtatorin e atij viti në Pragë idenë e shefit të Elizesë, edhe pse e bëri të qartë se Gjermania do ta pranonte atë, por jo si alternativë ndaj zgjerimit të BE-së. Ai pati nënvizuar atëherë se ekzistojnë vërtet disa forume në Europë, ku europianët bashkëpunojnë përtej BE, siç janë “OSBE, OECD, Partneriteti Lindor, Zona Ekonomike Evropiane dhe NATO”. Por kishte munguar një forum i liderëve politikë me BE. Një nismë e tillë do të lejonte që kryetarët e shteteve dhe të qeverive të BE të mund të takoheshin në këtë kuadër edhe me ata jashtë bllokut europian, në formën e një forumi, “një herë apo dy herë në vit” me në vëmendje tema që prekin kontinentin në tërësi: siguria, energjia, klima ose konektiviteti”.
Komuniteti politik mblidhet dy herë në vit, duke u alternuar mes një vendi të BE dhe një vendi jashtë saj.
Takimi i parë u mbajt në Pragë në 6 tetor të vitit 2022, ndërsa i fundit në radhë ishte nëntorin e kaluar në Hungari.
Objektivi i Komunitetit politik është që të ofrojë një platformë të koordinimit të të politikave për të gjithë vendet evropiane, duke promovuar dialogun politik dhe bashkëpunimin në çështje me interes të përbashkët.