Ka nisur në GJKKO seanca për vlerësimin e masës së sigurisë për ish-zv.ministrin e Shëndetësisë Klodian Rjepaj, biznesmenin Ilir Rrapaj dhe 4 personat e tjerë të akuzuar për shpërdorim detyre dhe mashtrim në rastin e koncesionit të sterilizimit.

Biznesmeni Ilir Rrapaj dhe ish-zv.ministri Klodian Rjepaj janë arrestuar dje dhe ndodhen pas hekurave. Sakaq masa arrest në shtëpi është dhënë për Saimir Kadiu, ish-drejtor ekonomik MSH dhe M. S., drejtoreshe juridike.

Ndërkohë në masën detyrim paraqitje janë lënë: Arben Gjata, Pertef Mersini, Genc Burazeri dhe Naile Ajazi.

Mësohet se gjatë miratimit të arresteve Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar e ka orientuar SPAK-un që të zgjerojë hetimet edhe ndaj ish ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe ish ministrit të Financave, Shkëlqim Cani. Ky i fundit u thirr dje nga SPAK dhe ka dhënë dëshminë e tij për më shumë se 3 orë.

Për gazetarët ai tha se kur janë bërë pagesat për koncesionin nuk ka qenë ministër dhe mohoi të ketë njohje me biznesmenin Rrapaj.