Ajo që Ancelotti kishte dyshuar gjatë gjithë javës, u konfirmua 48 orë para “El Clasico”. Courtois, heroi i finales së fundit të Ligës së Kampionëve në Paris, nuk ia ka dalë të rikuperohet.

Portieri belg, i cili vuan nga fundi i muajit të kaluar nga dhimbjet e nervit shiatik, nuk ka mundur të stërvitet me bashkëlojtarët e tij, duke u përjashtuar përfundimisht për duelin ndaj azulgranëve.

“Marca” raportoi dje se dëmtimi nuk ka përparuar me shpejtësinë e pritur dhe se pjesëmarrja e tij varej nga ndjesitë që do të kishte sot futbollisti, pas zgjimit. Së fundi, të gjitha palët kanë zgjedhur të jenë konservatore dhe të mos përshpejtojnë kthimin e tij, që mund të ketë pasoja negative për të ardhmen.

Kështu, do të jetë Lunin, ai që do ta mbrojë portën e Real Madridit në “El Clasicon” e parë të sezonit. Portieri ukrainas ka luajtur katër ndeshjet e fundit për të bardhët, si kundër Shakhtarit në Ligën e Kampionëve, ashtu edhe ndaj Getafe dhe Osasuna në La Liga.

Rüdiger, nga ana e tij, duket se është gati për supersfidën me Barcelonën. Tri ditë pasi luajti kundër Shakhtarit dhe mori atë goditje në kokë, që i kushtoi 20 qepje, gjermani u hodh në fushë me këpucë për t’u ushtruar me shokët e tij. Pa maskë, me një fasho që mbulon plagën dhe me sy shumë më të rikuperuar, qendërmbrojtësi po bën të gjitha hapat për të hyrë në listën e të thirrurve.