Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural njofton se konfirmohet rasti i parë i Influencës Aviare i tipit H5N8 në një stabiliment në Durrës që mbarështon shpendë.

Njoftimi:

Gjurmimi i sëmundjes nga autoritetet ligjzbatuese ka nisur me një hetim të thelluar epidemiologjik menjëherë sapo Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka marrë sinjalizimin e parë për ngordhje të pulave. Analizat e njëpasnjëshme, në ditë të ndryshme, në kampione të ndryshme, në stabilimente të ndryshme, në të gjithë vendin, marrë gjatë kësaj periudhe konfirmonin sëmundjen e laringotrakeik gjendur vetëm në dy stabilimente në Durrës.

Ndërsa vijoi gjurmimi dhe monitorimi prej sinjalizimit të parë për çdo ditë me testime, një kampion i marrë sot, datë 19 Mars 2022, analizuar nga laboratori i referencës së Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, ka rezultuar pas analizimit me metodën molekulare të avancuar RT-PCR, me praninë e influencës aviare, H5N8. Hetimi epidemiologjik deri më sot flet për rast të izoluar.

Ndërsa është vendosur karantinimi, udhëzuar për masat e sigurisë dhe higjenës që duhet të zbatohen, janë marrë të gjitha masat për kufizimin e përhapjes së kësaj sëmundje duke përcaktuar perimetrin e zonës nga e cila ndalohet lëvizja e shpendëve, produkteve dhe nëprodukteve të tyre. Është ngritur pranë Ministrisë, Qendra Kombëtare e Manaxhimit të Situatës si dhe është vendosur në zbatim plani i masave mbrojtëse kufizuese në përputhje me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetit të Kafshëve (OIE). Fermat dhe stabilimentet që mund të vërejnë problematika mund të njoftojnë Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë në numrin jeshil 0800 3366.