Një person ka mbetur i vdekur dhe tre të tjerë janë plagosur pas një konflikti për motive pronësie në Lushnje.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Garunjas të këtij qyteti. Personat e konfliktuar me njëri-tjetrin janë të afërm.

Mësohet se babai Shaip Hasalla 65-vjeç, dhe vëllezërit Laert Hasalla, Emiljano Hasalla kanë mbetur të plagosur me armë zjarri, ndërsa vëllai tjetër 30-vjeçari Romeo Hasalla, ka humbur jetën.

Në kërkim janë shpallur autorët e dyshuar, vëllezërit Afrim Hasalla, dhe Kastriot Hasalla.

Sakaq grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë të saj.

Informacion paraprak Sot rreth orës 06:30, në fshatin Garunjas, njësia administrative Bllagat, Lushnje, si pasojë e një konflikti për motive pronësie mes kushërinjve të parë, kanë mbetur të plagosur me armë gjahu shtetasit Sh. H., 65 vjeç,(babai) L. H dhe E. H, 31 vjeç(vëllezër) si edhe ka ndërruar jetë shtetasi R. H, 30 vjeç(vëllai tjetër).

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë dhe kanë shpallur në kërkim autorët e dyshuar, shtetasit A. H dhe K. H., 33 vjeç(vëllezër), ku vijon puna intensive për kapjen e tyre.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë të saj.

/abcnews.al/