Konsulli i përgjithshëm i Greqisë në Mariupol, Ukrainë, diplomati i fundit i BE-së që evakuoi portin e rrethuar ukrainas, tha të dielën se qyteti po i bashkohej radhëve të vendeve të njohura që janë shkatërruar në luftërat e së kaluarës.

Manolis Androulakis ka ndihmuar dhjetëra shtetas grekë dhe grekë etnikë për të evakuuar qytetin e rrënuar që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Ai u largua nga Mariupoli të martën dhe pas një udhëtimi katër-ditor përmes Ukrainës kaloi në Rumani përmes Moldavisë së bashku me 10 shtetas të tjerë grekë.

“Ajo që pashë, shpresoj se askush nuk do ta shohë kurrë,” – tha Androulakis ndërsa mbërriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Athinës dhe u ribashkua me familjen e tij, raporton Reuters.

“Mariupol do të bëhet pjesë e një liste të qyteteve që u shkatërruan plotësisht nga lufta; nuk kam nevojë t’i përmend ato – ato janë Guernica, Coventry, Aleppo, Grozny, Leningrad,” – tha Androulakis.

Sipas Ministrisë së Jashtme greke, Androulakis ishte diplomati i fundit i BE-së që u largua nga Mariupol, ku shumë banorë janë bllokuar nën bombardime të forta për më shumë se dy javë, ndërsa forcat ruse kërkojnë të marrin kontrollin.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha të shtunën se rrethimi rus i Mariupolit ishte “një terror që do të mbahet mend për shekujt e ardhshëm”.

Të paktën 10 grekë etnikë janë vrarë dhe disa janë plagosur që kur Rusia filloi të sulmojë Mariupolin. Më shumë se 150 shtetas grekë, ekuipazhe anijesh dhe grekë etnikë janë evakuuar nga rajoni, sipas raportimeve nga Ministria e Jashtme greke.

Mariupol, një qytet me më shumë se 400,000 banorë para luftës, ka pasur historikisht një popullsi të konsiderueshme grekësh etnikë, të cilët kanë qenë aktivë në tregti dhe transport detar në rajon që nga periudha bizantine.