
Tre kontrabandistë shqiptarë janë arrestuar nga autoritetet britanike, pasi 20 migrantë u gjetën të fshehur në një jaht të nisur për në Bregun Jugor të Britanisë.
Anija e madhe luksoze besohet se ka lundruar nga Brest, Francë dhe është kapur në Kanalin anglez gjatë rrugës për në Newquay të dielën.
Kur oficerët e Forcave Kufitare kontrolluan jahtin, gjetën 20 pasagjerë të fshehur poshtë kuvertës.
Të gjithë mendohet se janë shtetas shqiptarë. 19 burrat dhe një grua janë arrestuar dhe pritet të dëbohen nga Britania e Madhe, tha një zëdhënës i Zyrës së Brendshme.
Në lidhje me ngjarjen, shtetasja shqiptare Bleda Bega, 44 vjeçe, është akuzuar për “lehtësim të hyrjes së paligjshme” në vend.
Asaj i është caktuar masa e paraburgimit. Dy persona të tjerë, gjithashtu shtetas shqiptarë, u arrestuan nën dyshimin për të njëjtën vepër. Hetimet vijojnë.
11 anije, me 656 persona, bënë udhëtimin nëpër Kanal të shtunën, numri më i lartë në një ditë të vetme këtë vit.
Të dhënat e përkohshme sugjerojnë një numër rekord migrantësh që kanë ardhur në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla këtë vit, me më shumë se 8,000 njerëz që kanë mbërritur në katër muajt e parë të 2025.
Një zëdhënës i Home Office tha: Kontrabandistëve nuk u intereson nëse njerëzit e pambrojtur që shfrytëzojnë jetojnë apo vdesin, për sa kohë që paguajnë dhe ne nuk do të ndalemi para asgjëje për të çmontuar modelet e tyre të biznesit dhe për t’i sjellë ata para drejtësisë.
