Vijojnë kontrollet në të gjithë territorin e qarkut Fier, në kuadër të operacionit anticannabis të koduar “Koordinata”.
Goditet 1 tjetër rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike, vihet në pranga autori.
Në vijim të operacionit kombëtar të koduar “Koordinata”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, gjatë kontrollit të territorit, nga toka dhe nga ajri, duke përdorur dronë, në vendin e quajtur “Kodra e dafinave”, në fshatin Gjorgoz, kanë konstatuar një parcelë në të cilën ishin kultivuar 223 fidanë narkotikë kanabis.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier kanë organizuar punën dhe kanë vënë në pranga autorin e dyshuar të rastit, shtetasin R. M., 24 vjeç, banues në Cakran.
Fidanët u asgjësuan nëpërmjet djegies.
—
Gjithashtu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier gjetën dhe asgjësuan 90 fidanë narkotikë cannabis sativa, në territorin e njësisë administrative Portëz.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorit/ve të këtij rasti kultivimi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.