Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar përmes një postimi në Facebook për kontrollin e fundit të kërkuar nga SPAK dhe kryer nga agjentët e BKH-së në një ambient në zonën e ish-Bllokut, që dyshohet se përdorej nga familjarët e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Berisha pretendon se kontrolli blic është kryer në “apartamentin e fshehtë të çiftit Veliaj”. Sipas kreut të PD janë gjetur gjatë këtij kontrolli qindra fatura, dhjetëra kontrata dhe sasi e madhe parash cash.

“Përshëndetje dr. Dje ne ora 13:00 është kontrolluar nga BKH ne një operacion blic një apartament i fshehte i çiftit Veliaj mbi qendrën Harabel. Sipas Nesti Angonit ky ishte apartamenti i kesh-it te tyre. Apartamenti është gjetur grumbuj me fatura, me dosje te shumta kontratash por edhe kartonë plot me euro. Te gjitha janë sekuestruar se bashku me kompjuterët dhe pajisjet tjera dixhitale. Kontrolli u be nen mbrojtjen e rreptë te policisë dhe vendim te gjykatës!”, thuhet në mesazhin që Berisha pretendon se i është dërguar nga qytetari digjital.

Ndryshe nga Berisha, A2 ka mësuar se kontrolli i kryer pas kërkesës së prokurorëve Altin Dumani e Olsi Dado, ka ndodhur në një magazinë pranë qendrës “Harabel” në zonën e ish-Bllokut.

Vendimi i gjykatës është ekzekutuar paraditen e sotme nga agjentët e BKH, të cilët kanë administruar në këtë ambient dokumente, apo pajisje elektronike me vlerë për hetimin. (A2