Gjykata e Posaçme Anti-Korrupsion ka lënë në burg ish-ministrin Ilir Beqaj dhe bashkëpunëtorin e tij Ermal Kurtulaj. Beqaj akuzohet për korrupsion me fondet e BE gjatë kohës që ai drejtonte SASPAC, si edhe për mos deklarim pasurie.
Në seancën e zhvilluar me një ndërprerje 30 minutëshe, ish ministri i Shëndetësisë i ka mohuar të gjitha akuzat e ngritur ndaj tij, teksa përmes avokatit ka kërkuar të lihet i lirë me garanci pasurore 5 mln lekë, kërkesë kjo e cila u refuzua. Në lidhje me restorantin, që sipas SPAK dyshohet si pasuri e fshehur e Beqajt, ish-ministri ka pretenduar se aty ka qenë ish-aksionere bashkëshortja e tij. Sipas Beqaj pikëtakimi mes ish-aksionerit kryesor dhe familjares së tij ka qenë Ermal Kurtulaj, por më pas, duke vënë re se nuk kishte interes është tërhequr.
Garanci pasurore kundrejt lirisë ofroi edhe Ermal Kurtuaj, duke përmendur vlerën e përftuar nga shitja e një automjeti “Audi”, por gjykata nuk e mori parasysh duke e lënë në burg.
E vetmja masë që u ndryshua ishte ajo për Alfred Nikollin, i cili nga “arrest në burg”, u la në “arrest shtëpie”.
Ilir Beqaj u arrestua mëngjesin e së enjtes lidhur me shpërdorimin e fondeve të Bashkimit Europian përmes agjencisë SASPAC, të cilën ish-ministri i Shëndetësisë e drejtonte.
Masat e sigurisë
Arrest në burg
Ilir Beqaj
Ermal Kurtulaj
Arrest në shtëpi
Elton Marini
Alfred Nikolli
Detyrim paraqitjeje
Bledar Leka
Bjona Zijaj