ELBASAN
Mëngjesin e kësaj të premteje në Elbasan është zhvilluar një operacion policor nga ana e sektorit te krimit ekonomik. Ky operacion është zhvilluar te Fakulteti i Shkencave Sociale në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan.
Me urdhër të prokurorit Xheljan Seferi, po hetohen 7 pedagogë të Shkencave të Edukimit dhe një sekser i tyre. Ata sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria janë shoqëruar ne polici dhe prej disa orësh po kryhen veprimet procedurale për shtatë pedagogët dhe bashkëshortin e një pedagogeje që luante rolin e sekserit.
Paraprakisht burime zyrtare nga Prokuroria e Elbasanit konfirmojnë se për dy nga 8 të shoqëruarit do lëshohet urdhër arresti me burg.
Ndërsa për të tjerët do kërkohet masa “detyrim paraqitje”. Ata akuzohen për korrupsion pasiv.
Ndërkohë sipas burimeve, pedagogët janë pezulluar nga detyra. Për disa orë në ambientet e universitetit ishin prokurorët dhe punonjësit e policisë, të cilët sekuestruan dokumentacionin, pamje filmike, dëshmi dhe mjaft prova te tjera. Policia nuk ka dhënë ende një njoftim zyrtar për këtë rast derisa të përfundojnë procedurat e marrjes në pyetje.
1. Ornela Bilali, Lënda: Arti dhe krijimtaria në fëmijërinë e hershme.
2. Zyhra Gripshi, Lënda: Puna me familjen dhe komunitetin.
3. Adrian Shingjergji, Lënda: Edukimi motorrik dhe lojërat lëvizore.
4. Beatriçe Gani, Lënda: Të mësuarit nëpërmjet lojës.
5. Edlira Gugu, Lënda: Letërsi për fëmijë.
6. Florinda Tarusha, Lënda: Filozofi e edukimit.
7. Monika Hodaj, Lënda: Edukim gjinor ne fëmijërinë e hershme.
8- G.H., sekseri