Korrupsioni mbetet shqetësimi kryesor i sipërmarrjeve të drejtuara si nga femrat, ashtu dhe meshkujt, sipas një sondazhi të zhvilluar nga “Monitor” në faqen e vet të internetit përmes platformës ECR (Engaged Citizens Reporting).

Sondazhi u plotësua nga 503 anketues, rreth 35% e të cilëve ishin femra.

80% e femrave të anketuara nga “Monitor” thanë se korrupsioni është një pengesë për investimet

80% e femrave të anketuara thanë se korrupsioni është një pengesë për investimet e tyre. E njëjta përqindje është dhe për përgjigjet që dhanë meshkujt sipërmarrës.

Është një normë e pashkruar në Shqipëri, që nëse nuk paguan, nuk mbaron punë. Perceptimi për femrat është se “korruptohen” më pak dhe ndaj hezitohet t’u kërkohet ryshfet.

54% e sipërmarrëseve kanë pohuar se u është kërkuar të japin një herë ryshfet gjatë 12 muajve të fundit, përkundrejt 76% që u përgjigjën në këtë mënyrë nga bizneset e drejtuara nga meshkuj.

52% e të anketuarave  që u kishin kërkuar ryshfet thanë se ai varionte midis 10-20% të vlerës së kontratës.

Burimi: Sondazh i Monitor

Por, kur nuk mbaron punë, duhet të paguash. “Pas 16 viteve luftë për të mos paguar tarifat e korrupsionit që janë të afishuara, u dorëzova. Po këshilloj klientin t’i paguajë”, thotë një ekonomiste nga Shkodra, në komentet anonime në platformë.

Sipërmarrëset komentojnë se korrupsioni pengon rritjen, teksa i step në realizimin e investimeve.

“Korrupsioni, mua personalisht nuk më lë të rritem profesionalisht, pasi lloji i biznesit që unë bëj lidhet direkt me institucionet e qeverisjes vendore dhe ata u japin prioritet në kohë dhe në cilësi vetëm bizneseve të tyre ose atyre të zgjedhura prej tyre”, thotë një sipërmarrëse në sektorin e shërbimeve në Tiranë.

“Kemi frikë për të ardhmen dhe për rritjen e biznesit”, pohon një sipërmarrëse e re që vepron në sektorin e “Akomodimit dhe shërbimi ushqimor”, e klasifikuar në sipërmarrjet me 10-49 të punësuar.

Korrupsioni step dhe të huajt. “Kompania është pjesë e një grupi të huaj. Perceptimi i mungesës së konkurrencës së ndershme, që favorizohet  nga niveli i lartë i korrupsionit, frenon vendimmarrësit e kompanisë së huaj të rrisë investimin në Shqipëri, shprehet një sipërmarrëse nga Durrësi, në sektorin e tregtisë, me 10-49 të punësuar.

Rezultatet totale

Rezultatet e sondazhit të “Monitor” me 503 të anketuar tregojnë se korrupsioni perceptohet si një çështje shumë alarmuese dhe fenomen në rritje në Shqipëri.

Më shumë se 90% e të anketuarve mendojnë se korrupsioni është një çështje shumë alarmuese, ndërsa 77% e tyre vlerësojnë se korrupsioni është rritur shumë në pesë vitet e fundit. 69% e të anketuarve mendojnë se lufta kundër korrupsionit nuk ka treguar përparim në vitet e fundit.

Megjithatë, shumica mendojnë se Reforma në Drejtësi ka filluar të japë rezultate. Perceptimi i qytetarëve është se qeverisja qendrore përbën segmentin më të korruptuar.