Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar të enjten për herë të 23-të radhazi ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.

Dështimi për ta bërë Kuvendin e ri ka zhytur vendin në një ngërç politik duke e lënë atë edhe pa qeveri të re, kur kanë kaluar më shumë se tre muaj nga mbajtja e zgjedhjeve. Dështimet e njëpasnjëshme po ndodhin pavarësisht thirrjeve nga brenda dhe jashtë vendit për të lëvizur përpara me krijimin e institucioneve.

Çështja e votimit të fshehtë që u propozua më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u konfirmuar në post është dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

Ato thonë se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë, dhe i kanë kërkuar Kushtetueses të marrë “një masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta marrë një vendim”.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish, në vazhdimin e seancës konstituive, të dielën, ta propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.

Seanca konstituive do të vazhdojë të shtunën e 31 majit.