Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Europës. Nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës kanë konfirmuar se formulari është i gatshëm dhe se aplikimi do të bëhet së shpejti, me siguri të enjten.
Mundësinë e aplikimit të Kosovës për anëtarësimin në Këshillin e Europës e ka përmendur të mërkurën në Bruksel presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, duke shtuar se me këtë, Kosova po e shkel Marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Uashingtonit.
Përpara darkës joformale të organizuar nga Shefi i Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor të mërkurën, më 11 maj, Vuçiç tha se “është e qartë se disa njerëz po punojnë për të destabilizuar të gjithë rajonin dhe Serbinë”.
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg. Ai ndihmon vendet anëtare të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin dhe të ndërmarrin reforma të nevojshme gjyqësore.
Mundësia për pranimin e Kosovës në Këshillin e Europës u hap me dëbimin e Rusisë nga kjo organizatë, pas luftës në Ukrainë.
Në mungesë të Rusisë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës. Duke qenë se vendimet në merren me shumicë, mundësia e pranimit të Kosovës është reale, shkruan REL.