Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me një deklaratë publike ku ju bën thirrje partive që të nxisin numëruesit dhe komisionarët të shpejtojnë numërimin që ky proces të mbyllet brenda afatit ligjor, konkretisht deri në orën 24:00 të ditës së sotme.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi shprehet se nuk ekziston asnjë arsye që ky proces të mos mbyllet brenda afatit. Sipas KQZ-së, përgjegjësia për mosfinalizimin në kohë të procesit i takon plotësisht partive politike.
KQZ paralajmëron se nëse situata nuk do të ndryshojë brenda afatit të përcaktuar, njoftojmë se të gjithë personat përgjegjës do të përballen me sanksione ligjore
Deklarata e KQZ-së:
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bën thirrje partive politike që kanë anëtarë në KZAZ dhe në GNV të marrin përgjegjësinë që u takon për të nxitur numëruesit dhe komisionerët në KZAZ-të ku ende nuk ka përfunduar procesi i numërimit të votave, që ky proces të përfundojë brenda afatit ligjor, konkretisht deri në orën 24:00 të ditës së sotme.
Nuk ekziston asnjë arsye që ky proces të mos përmbyllet brenda këtij afati.
Duke njohur dhe respektuar të drejtën e kandidatëve për deputet për të vëzhguar dhe mbikëqyrur procesin e numërimit, i ftojmë ata të shmangin çdo përfshirje në komunikime të panevojshme apo ushtrim presioni ndaj numëruesve dhe komisionerëve.
Përgjegjësia për mosfinalizimin në kohë të procesit i takon plotësisht partive politike. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërmarrë dhe po ndërmerr të gjitha përpjekjet për të garantuar mbarëvajtjen dhe përfundimin e procesit.
Nëse situata nuk do të ndryshojë brenda afatit të përcaktuar, me keqardhje njoftojmë se të gjithë personat përgjegjës do të përballen me sanksione ligjore.