Veç familjeve qiramarrëse në ishpronë private, nga skema e subvencionimit të interesave të kredisë përfitojnë edhe familjet e punonjësve, që kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës.

Në mbledhjen e fundit qeveria ka miratuar vendimin “Për masën e subvencionit të interesave të kredisë dhe procedurën e dhënies së tij për familjet që përfitojnë banesë me kosto të ulët, me kredi të lehtësuara nga shteti”, përmes së cilit është bërë e ditur mënyra e re e aplikimit, si edhe dokumentet që duhet të dorëzohen. Për këto dy kategori, interesat e kredisë do të mbulohen në masën 100 për qind nga shteti.

KREDITIMI

Sa u takon kushteve që duhet të përmbushen, përveç mospasjes së një banese në emrin e tyre, si referuese do të shërbejnë edhe të ardhurat mujore, të cilat duhet të jenë më të ulëta se të ardhurat mesatare të njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse. Pra, bëhet fjalë për familje, të cilat kanë të pamundur të përballojnë këstet e kredisë për blerjen e një banese. Procesi, do të duhet të kalojë nëpër disa faza, duke qenë se nuk bëhet fjalë për fondet e bashkisë, por janë para, të cilat do të vendosen në dispozicion nga Ministria e Financave. Kërkesa për të përfituar nga programi i kredive të buta do të duhet të paraqitet në portalin “e-Albania”. “Familjet qiramarrëse në ishpronë private ngarkojnë në portalin qeveritar ‘e-Albania’, në sistemin e Entit Kombëtar të Banesave, dokumentacionin, sipas shkronjës ‘b’, të pikës 18, të këtij vendimi. Miratimi i listave të familjeve, që plotësojnë kushtet për të përfituar kredi me interes 0 % miratohen me vendim të komisionit të kredisë të ngritur pranë EKB-së”, thuhet në vendim. Kufiri maksimal i kreditimit, sipas strukturës së familjes, llogaritet bazuar në çmimet mesatare të shitblerjes së banesave në treg, sipas aktit nënligjor në fuqi, që përcakton vlerat mesatare të shitblerjes së banesave në treg dhe sipër faqen e apartamentit, që përfiton familja, bazuar në normat e strehimit në fuqi. Konkretisht një familje me 1 ose 2 anëtarë do të përfitojë një apartament me sipërfaqe deri në 45 metra katror, një familje me 3 anëtarë do të përfitojë një apartament me sipërfaqe 55 metra katror, me 4 anëtarë do të përfitojnë 81 metra katror dhe me 6 anëtarë do të përfitojë 100 me tra katror. Nëse apartamenti ndodhet në Tiranë, ku një metër katror kushton rreth 89 137 lekë, atëherë vlera e kredisë për një apartament me sipërfaqe 81 metra katrorë do të jetë rreth 7.2 milionë lekë.

DOKUMENTET E APLIKIMIT

Në vendim janë të përcaktuara edhe dokumentet që duhet të dorëzohen. Në rastin e familjeve të punonjësve që kanë humbur jetën në krye ose për shkak të detyrës duhet që të dorëzojnë certifikatë të gjendjes familjare aktuale, si edhe vërtetim nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës e vendit ku banojnë, që, në emër të kryefamiljarit dhe të anëtarëve të tjerë të familjes, nuk figuron pronë e regjistruar apo në proces regjistrimi. “Lista e miratuar nga Ministria e Brendshme dhe e shoqëruar me dokumentacionin e plotësuar i përcillet Entit Kombëtar të Banesave, i cili shqyrton dokumentacionin për të vazhduar me procedurat e kreditimit”, theksohet më tej në vendim. Ndërsa ato familje që kanë statusin e qiramarrësit në ishpronë private, paraqesin kërkesën në portalin qeveritar “e-Albania”, në sistemin e Entit Kombëtar të Banesave, duke ngarkuar dokumentacionin, si më poshtë vijon: Autorizim ose dokument të lëshuar nga ish-Komiteti Ekzekutiv i lagjes, certifikatë apo vërtetim pronësie në favor të pronarit ose vendim gjykate, në të cilin vërtetohet se prona i është kthyer pronarit të ligjshëm dhe qytetari është i pastrehë, vërtetim negativ nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës përkatëse, vërtetim nga organet tatimore se asnjë anëtar i familjes, që përfiton kredi të lehtësuar, nuk është subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar, si biznes i madh, certifikatë e gjendjes familjare të datës 1 dhjetor 1992 dhe ajo aktuale dhe së fundmi adresa e banesës dhe emri i pronarit të banesës.

Dokumentet që duhet të dorëzohen

Për efekt të përfitimit të subvencionimit të interesave të kredisë, veprohet, si më poshtë vijon: a) Individët/familjet, që do të miratohen me vendim të këshillit të njësisë vetëqeverisjes vendore, paraqesin kërkesën në portalin qeveritar “e-Albania”, në sistemin e banesave sociale, duke ngarkuar deklaratën për dhënien e pëlqimit për përdorimin e të dhënave personale; b) Individët/familjet me statusin e qiramarrësit në ish-pronë private, të cilët përfitojnë kredi me 0 % interes në vit, paraqesin kërkesën në portalin qeveritar “e-Albania”, në sistemin e Entit Kombëtar të Banesave, duke ngarkuar dokumentacionin, si më poshtë vijon: i. Autorizim ose dokument të lëshuar nga ish-Komiteti Ekzekutiv i lagjes/Këshilli Popullor i lagjes; ii. Certifikatë apo vërtetim pronësie në favor të pronarit ose vendim gjykate, në të cilin vërtetohet se prona i është kthyer pronarit të ligjshëm dhe qytetari është i pastrehë; vërtetim negativ nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës përkatëse, që, në emër të kryefamiljarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes, sipas certifikatës të gjendjes familjare të datës 1.12.1992, nuk figuron banesë e regjistruar ose në proces regjistrimi; iii. Vërtetim nga organet tatimore se asnjë anëtar i familjes, që përfiton kredi të lehtësuar, nuk është subjekt i tatimit mbi vlerën e shtuar, si biznes i madh; iv. Certifikatë e gjendjes familjare të datës 1 dhjetor 1992 dhe ajo aktuale; v. Adresa e banesës dhe emri i pronarit të banesës. c) Familjet e punonjësve, që kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës, të cilët përfitojnë kredi me 0 % interes në vit, plotësojnë dokumentacionin, si më poshtë vijon: i. Certifikatë e gjendjes familjare aktuale; ii. Vërtetim negativ nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës e vendit ku banojnë, që, në emër të kryefamiljarit dhe të anëtarëve të tjerë të familjes, nuk figuron pronë e regjistruar apo në proces regjistrimi; iii. Lista e miratuar nga Ministria e Brendshme dhe e shoqëruar me dokumentacionin e plotësuar i përcillet Entit Kombëtar të Banesave, i cili shqyrton dokumentacionin për të vazhduar me procedurat e kreditimit.

Afatet për të përfituar nga programi i strehimit 

Vendimi i qeverisë përcakton edhe afatet për gjetjen e banesës dhe firmosjen e kontratës në bankë për subvencionimin e interesave të kredisë. Familjet përfituese do të kenë 6 muaj kohë për të gjetur apartamentin apo banesën ndërsa për të përmbyllur të gjithë praktikën afati i caktuar është 18 muaj. “Individët apo familjet e miratuara me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, për të përfituar nga programi i kreditimit, duhet të kujdesen për gjetjen e blerjen e një banese në treg të lirë. Afati maksimal për kryerjen e procedurave të përfitimit të kredisë është 18 muaj nga data e protokollimit të listës emërore pranë institucionit, që monitoron subvencionimin e interesave të kredisë. Individi/ familja, që ende nuk ka gjetur banesën, njofton nëpërmjet postës elektronike, çdo 6 muaj, institucionin financiar dhe, nëpërmjet portalit qeveritar ‘e-Albania’, institucionin që monitoron subvencionim e kredisë për shfaqjen e interesit dhe pamundësisë së tij për gjetjen e banesës. Me mosdërgimin e këtij informacioni çdo 6 muaj, veprohet sipas pikës 12, të këtij vendimi. Njësitë e vetëqeverisjes vendore njoftojnë menjëherë individët/familjet e miratuara për fillimin e afatit, brenda të cilit duhet të kryejnë procedurat për përfitim kredie”, thuhet në vendim. Pra, në përfundim të afatit 6-mujor familjet kanë të drejtë të kërkojnë shtyrje me 6 muaj të tjerë. Ndërkohë, lidhur me penalitetet, vendimi përcakton që ndërprerja e programit të subvencionimit të interesave të kredisë do të bëhet në rastet kur konstatohet se qytetari nuk ka liruar banesën e pronarit brenda afatit të përcaktuar; kur ka kryer falsifikime të dokumenteve apo deklarata të rreme, kur ka mangësi apo të meta në dokumentacionin e dosjes së familjes përfituese; si edhe në rastet kur të ardhurat e individit/familjes, që nga momenti i miratimit të tij nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe deri në miratimin e kredisë nga institucioni financiar janë rritur më shumë se 1.2 e të ardhurave fillestare. “Në rast se institucioni financiar nga dokumentacioni konstaton se individi/familja ka raportuar të ardhura më të larta sesa niveli i përcaktuar në ligjin nr.22/2018, “Për strehimin social”, njofton, brenda 3 ditëve pune institucionin zbatues. Për zbatimin e këtij detyrimi nga institucioni financiar, institucioni që zbaton programin i dërgon këtij të fundit nivelin e të ardhurave maksimale për çdo strukturë familjare sipas qarqeve”, theksohet më tej në VKM.