Raporti i kredive me probleme pësoi një rënie të mëtejshme në muajin janar.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se ky raport zbriti në nivelin 5.45%, nga 5.65% që kishte qenë në fund të vitit 2021. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky raport ka rënë me 2.75 pikë përqindje. Shifra e janarit shënon nivelin më të ulët të kredive me probleme në më shumë se 13 vjet. Hera e fundit kur ky tregues ishte më i ulët kishte qenë nëntori i vitit 2008.

Në vitin e parë të pandemisë, raporti i kredive me probleme rezistoi në nivele të qëndrueshme, edhe falë masave administrative për menaxhimin e situatës, siç ishin shtyrja e pagesave apo ristrukturimi i kredive, pa përkeqësuar statusin e huamarrësit. Më tej, sidomos gjatë vitit 2021, rimëkëmbja e shpejtë e ekonomisë ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e cilësisë së portofolit të bankave.

Rënia e raportit të kredive me probleme është ndikuar edhe nga rritja me ritme të kënaqshme e portofolit të kredisë.

Në fund të muajit janar, portofoli total i kredisë për ekonominë arriti në 665 miliardë lekëve. Portofoli kishte një vlerë 9.6% më të lartë krahasuar me janarin e vitit të kaluar. Ritmet më të larta të rritjes shënohen në segmentin e ndërmarrjeve publike, me 43% më shumë krahasuar me një vit më parë. Rritje dyshifrore shënon edhe portofoli i individëve, me 12.3%, ndërsa për bizneset private rritja është më e ulët, në nivelin 7.1%.

Treguesi i kredive me probleme po shënon një ulje të qëndrueshme që prej vitit 2016, kur pati arritur pikun pranë nivelet të 25%. Pandemia e ngadalësoi uljen kredive me probleme, por për fat të mirë ndikimi i saj ishte afatshkurtër dhe ky raport iu kthye rënies vitin e kaluar.

Megjithatë, shtimi i rreziqeve për ekonominë reale, i lidhur me inflacionin e lartë dhe destabilitetin në tregje që po sjell lufta në Ukrainë, mund të bëhet gradualisht një faktor kërcënues për mbajtjen nën kontroll të kredive me probleme.

Megjithëse situata e punësimit dhe pagave mbështetur në të dhënat më të fundit duket ende në përmirësim, rritja e çmimeve mund të cenojë gradualisht aftësinë paguese të huamarrësve, duke shtuar rreziqet për institucionet e huadhënies.

Një faktor shtesë risku mund të jetë edhe rritja e pritshme e normave të interesit, që do të rriste koston e shlyerjes së kredive afatgjata me interes të ndryshueshëm dhe natyrisht do të shtrenjtonte edhe kreditë e reja.

Deri tani, bankierët shprehen se nuk presin një impakt domethënës në cilësinë e portofolit të kredisë, megjithatë zhvillimet negative në inflacion, të lidhura sidomos me çmimet energjisë dhe lëndët e para, po marrin përmasa gjithnjë e më shqetësuese. Marrë nga Monitor