Policia ka arrestuar një 30-vjeçar, autori i dyshuar i një serie vjedhjesh nën kërcënimin e armës. Gjatë vitit 2025 dhe janarit të këtij viti, 30-vjeçari dyshohet se ka kryer 11 vjedhje, ndër to 7 nën kërcënimin e armës.

Gjithashtu, 30-vjeçari dyshohet se ka djegur pjesërisht një automjet në Tiranë dhe ka kanosur me fjalë ish-vjehrrën e tij.

Si rezultat i fazës së dytë të operacionit, në bashkëpunim me DVP Tiranë, u bë e mundur kapja në Tiranë e 30 vjeçarit, banues në Mamurras, i dyshuar për veprat penale “Vjedhja me armë”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kanosja”, si autor i 11 vjedhjeve (dy karburanteve, një dyqani dhe 4 taksistëve nën kërcënimin e armës, ku dyshohet se ka përdorur një pistoletë lodër, si dhe ka kryer edhe 4 vjedhje të tjera, në markete e banesa).

Në momentin e ndalimit, 30-vjeçari ka qenë në shoqërinë e jë 42 vjeçari, lindur në Mamurras dhe banues në Tiranë, ku gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, armë gjahu, fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe aparat celular.

42-vjeçari u procedua penalisht për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”.

Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit, i dyshuar si bashkëpunëtor i 30-vjeçarit.

Identifikimi i autorëve u bë gjatë fazës së parë të këtij operacioni, të zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës.

Ndërkohë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet e thelluara për zbardhjen e rasteve të tjera të vjedhjeve të ndodhura më parë, që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.