Jan 24, 2023 | 18:31
Kreu i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi në një intervistë për Panorama Tv, deklaroi se vitin e shkuar u regjistruan vetëm dy vrasje.
Ajazi: Për herë të parë pas shumë vitesh, në këtë qark nuk ka ngjarje kriminale të mirëmenduar apo të organizuar. Gjatë vitit 2022, në të gjithë qarkun e Elbasanit kanë ndodhur 2 vrasje, të dyja për motive të dobëta, me autorë të identifikuar dhe të arrestuar.
Ai paraqet si shqetësim rastet e vjedhjeve në këtë qark. Midis sukseseve, Ajazi thekson arrestimin e bosit turk të kriptovalutave, Faruk Fatih Ozer, i cili aktualisht vijon betejën me drejtësinë shqiptare kundër ekstradimit në Turqi.
Por, cilat janë prioritetet kryesore të organit të hetimit për vitin që sapo ka nisur?
Ajazi: Do të theksoja luftën dhe ndjekjen me prioritet për veprat penale që lidhen me narkotike, pra shpërndarjen, kultivimin, shitjen. Këto mbeten prioritetet e policisë së shtetit.
Shefi i Prokurorisë së Elbasanit theksoi gjithashtu se duhet t’i kushtohet një rëndësi të veçantë rasteve të dhunës në familje, duke nënvizuar që të gjitha mekanizmat të jenë në funksion në mënyrë që kjo dhunë të referohen në organet ligjzbatuese.
Fokus të veçantë, Ajazi tha se do të ketë edhe lufta ndaj fenomenit të korrupsionit të zyrtarëve lokalë, duke nënvizuar se Prokuroria dhe Policia duhet të ndërtojnë strategji më të mira hetimore.