Tetë persona në Durrës janë shpallur fajtorë pasi dyshohet se kanë ngritur një skemë mashtrimi për shmangien e TVSH-së me vlerë mbi 500 mln lekë.

Abc mëson se personat e shpallur fajtorë janë Ardi Xhaferri, Regan Merdani, Ali Agolli, Tahir Afmataj, Enis Xhaferri, Ben Caka dhe Roland Avdo.

Bëhet me dije se është konfiskuar një hidrocentral, truall dhe kamionë.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në kuadër të Procedimit Penal Nr.227 të vitit 2020, pas një hetimi të kryer me metoda speciale të hetimit, dërgoi për gjykim dhe dha konkluzionet përfundimtare të procedimit penal, për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 144/a-25 i K. Penal dhe Veprën Penale “Moskallëzim i krimit” parashikuar nga neni 300/1 i K.P.

Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se të pandehurit kishin ngritur një skemë mashtrimi me  pesë kompani, me qëllim shmangien e pagesës së TVSH-së dhe të Tatim Fitimit, nga e cila ka rezultuar se është shmangur një detyrim tatimor në  vlerën totale 571,175,889 lekë. Ndërkohë autorët e veprës penale, kanë mundur që të terheqin parat cash nga bankat e nivelit të dytë, në vlerën totale prej 619,048,206 lekë, ku qëllimi i tërheqjeve ka qënë shmangia dhe mos pagimi i detyrimeve të lindura nga aktiviteti fiktiv tregtar i subjekteve objekt hetimit.