Gjatë pjesës më të madhe të karrierës së tij politike, Joe Bideni ka parë shtrirjen dhe zgjerimin e demokracisë në Evropë. Tani që ai është president, kjo prirje mund të zmbrapset në mënyrë dramatike nëse Rusia vendos të nisë një sulm të ri dhe të zgjeruar kundër Ukrainës. Kërcënimi vë në provë qasjen e presidentit Biden që e ka vendosur mbrojtjen e demokracisë në qendër axhendës së administratës së tij. Sulmi mund të shkatërrojë gjithashtu një vend me të cilin ai ka punuar për vite me radhë për të ndihmuar në luftën kundër korrupsionit dhe agresionit të Moskës. Dhe megjithëse presidenti Biden është përpjekur ta përqendrojë politikën e tij të jashtme në kundërshtimin e ndikimit në rritje të Kinës, një Evropë paqësore dhe demokratike mbetet qendrore për botëkuptimin e tij.
Parlamenti ukrainas shpërtheu në duartrokitje ndërsa Joe Bideni hyri në dhomën e veshur me panele druri pak më shumë se gjashtë vjet më parë. 800 kilometra në jug dhe në lindje, trupat ruse dhe separatistët po pushtonin pjesë të vendit dhe presidenti Barack Obama kishte dërguar nënpresidentin e tij në shenjë solidariteti me vendin e rrethuar nga Rusia.
Duke e ngritur zërin, Bideni deklaroi se Ukraina mund të demonstrojë se agresorët “nuk mund të përdorin shantazhin, ryshfetin, dërgimin e tankeve dhe njerëzve përtej kufirit për të shuar ëndrrat dhe shpresat e një populli”.
“Sepse nëse ia del mbanë, ai mesazh dërgohet në mbarë botën”, tha zoti Biden.
Qeveria e Ukrainës nuk ishte në gjendje të rimarrë tokën që humbi dhe tani bota pret të shohë se çfarë mesazhi do të dërgohet ndërsa Rusia përgatit atë që mund të jetë një sulm tjetër, më i gjerë këtë here, që mund t’i japë fund historisë së shkurtër të vendit si një republikë e pavarur.
Një sulm i tillë do të ishte testi më i vështirë për një president që e ka bërë mbrojtjen e demokracisë një gur themeli të administratës së tij. Nëse kërcënimet e zotit Biden për sanksione, dërgesat e armëve dhe operacionet e zbulimit nuk janë të mjaftueshme për të penguar luftën, sfida e tij e radhës do të jetë të mbajë të bashkuar një koalicion ndërkombëtar vendesh me interesa të ndryshme t për të ndëshkuar Rusinë si ekonomikisht ashtu edhe nga ana diplomatike.
Deri kohët e fundit, karriera e gjatë politike e presidentit amerikan ka ecur paralelisht me një përhapje të demokracisë në të gjithë Evropën. Ndryshe nga presidenti rus Vladimir Putin, një ish-oficer zbulimi që e sheh rënien e Bashkimit Sovjetik si poshtëruese, presidenti Biden përgëzoi të ashtuquajturat revolucione me ngjyra që përfshinë ish-republikat sovjetike dhe mbështeti zgjerimin e NATO-s drejt lindjes.
Daniel Fried, një diplomat me përvojë në rajon, tha se presidenti Biden është një politikan që “ka besim në botën e lirë – pa tone ironike”.
“Nuk është një qëndrim i stisur,” tha ai. “Është i sinqertë .”
Tani, dekada të përparimit mund të zmbrapsen në mënyrë dramatike në një vend ku presidenti Biden investoi vite pune për të mbajtur linjën mbrojtëse kundër agresionit rus.
“Ai përfaqëson një brez të vjetër politikanësh amerikanë që u rritën në Luftën e Ftohtë dhe për të cilët komuniteti transatlantik është qendra e gravitetit,” thotë Charles Kupchan, i cili shërbeu në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të presidentit Obama dhe udhëtoi me zotin Biden kur ai foli në parlamentin ukrainas.
Megjithëse zoti Biden është përpjekur ta përqendrojë politikën e tij të jashtme në kundërshtimin e ndikimit në rritje të Kinës, një Evropë paqësore dhe demokratike mbetet qendrore për botëkuptimin e tij.
“E gjithë kjo përpjekje për t’u marrë me rritjen e rolit të Kinës duhet të ketë mbështetjen e një grupi demokracish liberale me të njëjtat pikëpamje,” thotë zoti Kupchan, tani një anëtar i lartë në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë. “Kjo është arsyeja pse ai ka bërë përpjekjet maksimale për të krijuar një front të bashkuar.”
Megjithëse presidenti Biden kaloi dekada të tëra i angazhuar në çështjet e jashtme si senator, fokusi i tij ndak Ukrainës u bë më i mprehtë ndërsa shërbente si nënpresident i zotit Obama.
Kriza e sotme filloi kur ish-udhëheqësi i Ukrainës i lidhur me Rusinë hodhi poshtë një marrëveshje që do të
poshtë një marrëveshje që do të kishte forcuar lidhjet me Bashkimin Evropian, duke zemëruar një pjesë të popullatës që shihte një të ardhme më të mirë në perëndim sesa në lindje. Një kryengritje e mëvonshme e njohur si Revolucioni i Dinjitetit rrëzoi qeverinë e Ukrainës në vitin 2014, duke tronditur zotin Putin.
Ai u përgjigj duke pushtuar Krimenë, një gadishull që del në Detin e Zi dhe duke mbështetur separatistët në Donbas, një rajon përgjatë skajit lindor të Ukrainës.
“Të gjithë u kapën plotësisht në befasi,” thotë Max Bergmann, një bashkëpunëtor inë Qendrën për Progresin Amerikan, i cili shërbente në Departamentin e Shtetit në atë kohë.
Më në fund u krijua një ngërç. Forcat ruse dhe separatistët morën nën kontroll disa pjesë të Ukrainës, ndërsa një qeveri demokratike me bazë në Kiev, u përpoq të vazhdonte punën.
Zoti Biden udhëtoi në Ukrainë gjashtë herë si nënpresident dhe puna e tij në atë vend është një nga historitë kryesore në librin e tij të kujtimeve të vitit 2017, “Promise Me, Dad”.
Ai shkruan se disa e paralajmëruan atë se situata do ta dëmtonte politikisht sepse “do të ishte një disfatë për Perëndimin”, por ai “nuk hezitoi”
Para fjalimit të tij të vitit 2015 në parlamentin ukrainas, i njohur si Rada, zoti Biden kaloi javë të tëra duke hartuar fjalimin dhe vazhdoi të ndryshonte tekstin ndërsa fluturonte për në Ukrainë. Ai tha se qeveria e vendit përballej me kërcënimet e dyfishta të korrupsionit të brendshëm dhe agresionit rus.
“Ukraina ishte në udhëkryqin e historisë,” shkroi zoti Biden në librin e tij dhe ai donte “t’u kujtonte burrave dhe grave që ishin ulur në Rada se ata ishin në drejtimin e diçkaje të jashtëzakonshme dhe – si të gjitha gjërat më të vlefshme në jetë – jashtëzakonisht të brishtë”.
Një politikan i prekshëm që beson në fuqinë e marrëdhënieve të tij personale, zoti Biden përshkroi se ndjente një lidhje me audiencën e tij.
“Nga puna me politikanë dhe udhëheqës anembanë botës, kam mësuar kemi më shumë ngjashmëri sesa dallime”, shkruante ai.
Në librin e tij me kujtime, zoti Biden shkruante se e ardhmja e Ukrainës mbetet e pasigurt
“Mund të duhet të kalojë një brez ose edhe më gjatë, para se të shikojmë nëse Revolucioni i Dinjitetit në Ukrainë ishte i suksesshëm.”
Presidenti Putin po bën përpjekje që të sigurohet që të mos jetë i suksesshëm. Për muaj të tërë ai ka rritur tensionin ndaj Ukrainës dhe zyrtarët amerikanë e akuzojnë atë për planifikim operacionesh të rreme për të sajuar një pretekst për pushtim.
Timothy Naftali, historian në Universitetin e Nju Jorkut, i cili ka studiuar Bashkimin Sovjetik, thotë se presidenti rus po përdor “të njëjtin skenar” si paraardhësit e tij të Luftës së Ftohtë.
“Udhëheqës sovjetikë të njëpasnjëshëm janë përpjekur që të arrijnë synimet e tyre, përmes frikësimit”, thotë ai.
Presidenti Biden ka refuzuar të angazhojë trupat amerikane për të mbrojtur Ukrainën, gjë që do të rriste mundësinë e luftës midis SHBA-së dhe Rusisë, dy fuqi me armë bërthamore.
Por ai ka dislokuar forca shtesë në Evropën Lindore, duke paralajmëruar zotin Putinin se do të “mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s”, dhe ka dërguar armë shtesë të prodhuara nga Amerika në Ukrainë, e cila nuk është anëtare e NATO-s.
Analistët dhe ish-zyrtarët amerikanë e vlerësojnë zotin Biden për mobilizimin e vendeve evropiane në qëndrimin e tyre të bashkuar kundër çdo sulmi rus, diçka e vështirë për t’u realizuar kur vendet kanë interesa të ndryshme politike dhe ekonomike.
“Kështu duhet të funksionojë,” thotë zoti Fried, një bashkëpunëtor në Këshillin e Atlantikut dhe ish-ambasador amerikan në Poloni.
Uniteti transatlantik ka qenë një përparësi për presidentin Biden që kur mori detyrën dhe zoti Fried thotë se marrëdhëniet e qëndrueshme do t’i bënin sanksionet ndaj Rusisë më të dëmshme.
“Nëse Putini është i vendosur të fillojë luftën, ai do ta fillojë atë,” thotë zoti Fried. “Por nëse e bën një gjë të tillë, detyra jonë është të sigurohemi që të ketë pasoja për regjimin e tij.”
Fiona Hill, eksperte në Institutin Brookings, e cila ishte drejtore për çështjet evropiane dhe ruse në Këshillin e Sigurisë Kombëtare gjatë administratës së ish-Presidentit Trump, thotë se një pushtim mund të ketë një efekt domino në mbarë botën.
“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën, do të vendoste një precedent në shkallë globale,” tha ajo.
Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Ukrainën, do të vendoste një precedent në shkallë globale,” tha ajo.
Pikërisht këtë do që të shmangë Presidenti Biden, ndërsa demokracia përballet me kërcënime brenda dhe jashtë vendit. Ai shpesh paralajmëron se autokratë si presidenti rus, i cili ka pohuar se “ideja e liberalizmit ka filluar të gërryhet”, duan të demonstrojnë se qeveritë demokratike nuk mund të funksionojnë në epokën aktuale.
Gjatë samitit virtual të dhjetorit mbi demokracinë, zoti Biden i quajti kërcënime të tilla “sfidën vendimtare të kohës sonë”.
Rusia kishte grumbulluar ndërkohë dhjetëra-mijëra trupa në kufirin me Ukrainën.