Kriza e çmimeve: Skamje, uri e dëshpërim për shtesat në nevojë e pensionistët
Qytetarët e Shqipërisë ashtu si në shumë vende të botës kanë nisur protestat prej disa javësh kundër rritjes së çmimeve. Kjo rritje vjen si pasojë e krizës që shkaktoi lufta në Ukrainë.
Qytetarët protestojnë për shkak se çmimet e produkteve dhe shërbimeve në Shqipëri janë rritur në masën 30% brenda pak ditësh. Ky ndryshim i menjëhershëm erdhi si pasojë e rritjes së çmimit të karburanteve.
Më problematikë është rritja e çmimit të produkteve baze si buka, vaji, sheqeri orizi e të tjera mallrat ë domosdoshme për një familje. Gjatë kësaj jave, u rrit me 20% çmimi i bukës masive nëpër rrethet e Shqipërisë.
Një pensionist në Shqipëri paguhet mesatarisht 15,732 lekë në muaj. Mimimumi jetik në Shqipëri është afërsisht 17 875 lekë. Pra pensioni mesatar në vendin tonë është më i vogël se sa minimumi jetik. Kriza e rritjes së çmimeve prek kryesisht pensionistët dhe familjet e varfra të shoqërisë.
Shuma që përfiton një penesionist në Shqipëri është afërsisht 135 euro, aq sa ministrja e financave mendon se i mjafton një njeriu për të mos u quajtur i varfër. Por pensionistët e Tiranës që marrin mesatarisht këtë shumë për të cilën flet ministrja, thonë se nuk mjafton.
Për të ndihmuar pensionistët por edhe të varfrit në këtë kohë krize, qeveria ka miratuar një plan masash, për kontrollin e çmimeve. Plani i masave parashikon:
36 milionë $ për indeksimin e pensioneve (637,542 përfitues)
Kompensim i rritjes së çmimeve të shportës për 3 muaj (434 mijë përfitues)
14 milionë $ mbështetje për fermerët me naftë pa taksa (+ 5 milionë $)
5 milionë $ mbështetje për të gjithë qytetarët që përdorin linjat urbane, qytetase dhe ndërqytetëse
Nga muaji prill:
– Zero taksë për pagat deri në 40 mijë
– Përgjysmim takse mbi pagat deri në 50 mijë lekë
– Ulje e taksës mbi pagat nga 150 deri në 200 mijë lekë
Paga minimale rritet në 32 mijë lekë
200 milionë $ financim i mburojës së çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël
Bazuar mbi këtë paketë, pensionistët dhe shtresat në nevojë përfitojnë afërsisht 3 mijë lekë në muaj ndihmë nga shteti për të përballuar rritjen e çmimeve. Ndërkohë, kryeministri urdhëroi ngritjen e bordit të monitorimit dhe transparencës për produketet e shportës, me qëllim për të shmangur abuzimin. Bordi për Monitorimin dhe Transparencën e çmimeve është mbledhur tri herë brenda kësaj jave por ka përcaktuar vetëm tavanin për çmimet e hidrokarbureve por jo ato të ushqimeve bazë. Kryeministri Rama doli në terren për të parë në afër çfarë po ndodh me çmimet nëpër markete e furra buke.
Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla tha se deputetët e mazhorancës do të shkojnë në marketet e zonave të tyre elektorale për të mbajtur nën kontroll çmimet e vendosura nga bordi.
A do të mbërrijë ndonjë deputet në çadrën e Xheladin Seferit në fshatit Rrip në Burrel për të parë nga afër varfërinë e skajshme? Ky fshat është vetëm 20 minuta larg qytetit të Burrelit.
“Shteti më ka sjellë vetëm kët çadër por jeta është e përditshme jo njëherë në disa vite. Kriza ka ndikuar shumë tek ne edhe në filli të aj periudhe edhe me lekë ne Burrel nuk kishte miell. Me këto çmime që kanë shkuar në stratosferë,” thotë ai.
A do të mbërrijë ndonjë deputet në banesën e Xane Budit në një tjetër fshat afër Burrelit?
“Të ardhurat janë një pension kooperative, nuk kam të ardhura të tjera. Jemi 7 pjesëtarë në familje.”
A do të mbërrijë ndonjë deputet në banesën e Azem Qoshit në fshatin Zgosht, vetëm 15 minuta larg Librazhdit.
“Ndihma ekonomike është 50, kanë future edhe 12 mijë lekë drita, jetojmë duke u marrë me bujqësi, 120 mijë lekë ka shkuar një kuintal nitrat dhe 72 ureja dhe toka ka ngelur djerrë.”
Kush do të shkojë të shohë mjerimin e vuajtjen e Jonidës në Lushnje e cila jeton në fshatin Zgjan që është vetëm 7 minuta larg qytetit të Lushnjes.
Skamje, uri, dëshpërim.
Përmasat e vuajtjes shtohen shumë më tepër nëse ecën edhe pak e shkon në fshatra më të thella, jo vetëm të Lushnjes, Burrelit apo Librazhdit, por në të gjtitha fshatrat e Shqipërisë.
Pamje të tilla njerëzish shumë të varfër shfaqen vazhdimisht ekraneve të mediave apo në rrjete sociale.
Zakonisht kriza nuk ndjehet në këto anë sepse qysh kur kanë lindur jetojnë me krizën e varfërisë. Por tani është rritur shumë çmimi i bukës, vajit, miellit e sheqerit, ushqimet bazë pa të cilat nuk e mban dot frymën gjallë.
Kur një tregtar e rrit çmimin e vajit as që do t’ia dijë se në një fshat të Lushnjes është një familje prej shtatë vetash që i ka të ardhurat 20 mijë lekë në muaj dhe ajo shishe vaji i mban shpirtin gjallë. Është ushqimi i përditshëm dhe Jonida e ka për detyre të racionojë sasinë e vajit që mban një shishe.
Me 3 mijë lekë të reja që i shtohen për shkak të ndihmës nga paketa e krizës, Jonida dhe të tjerë mund të shtojë në tryezën e fëmijëve vetëm dy kilogram vaj, dy miell, dy oriz, sheqer, makarona në një muaj.
Askush nuk shkon të shohë çfarë ndodh me Jonidën, Xanen, Xhelalin, Azemin, Shurten, Xhanen, Rrapushin e të ngjashmit e tyre në fshatra e qytete të Shqipërisë. Ka shumë të varfër në Shqipëri. Sipas raportit të bankës botërorë i publikuar në tetor të vitit 2021, 30.8 % e popullsisë shqiptare jeton në varfëri dhe fenomeni parashikohet të jetë i qëndrueshëm deri në vitin 2023. Sipas raportit, 29.3 % e popullsisë së vendit do të jetojë me më pak se 5 dollarë në ditë. Shqipëria është një ndër vëndet më të varfra në Botë. Është gjithashtu vëndi që qëndron në krye të listës së vëndeve me qeveritë më të korruptuara.
Mbijetesa përmes prodhimeve bujqësore e blegtorale është bërë e pamundur. Për shkak të rritjes së çmimit të naftës, kostot për të punuar tokën janë të papërballueshme. Tani tokën e punojnë me krahë.
Të moshuar e gra punojnë tokën si në mesjetë ndërsa të rinjtë e këtyre anëve janë larguar të gjithë drejt emigracionit. Nuk kanë asnjë mundësi të jetojnë në tokën e tyre.
Varfërisë i shtohen të tjera vuatje të familjarëve me probleme të rënda shëndetësore. Disa prej tyre janë invalidë që nuk gëzojnë mbështetje financiare nga institucionet shtetërore.
Jonida ka dy fëmijë me problem shëndetësore. Djali është sëmurë me azëm për shkak të lagështirës dhe kushteve të vështira. Ndërsa vajza vuan nga deformimet e kockës së këmbës çfarë ia bën të vështirë ecjen. Me dëshpërim Jonida kërkon ndihmë për fëmijët e saj nga institucionet shtetërore sepse ajo mezi i siguron ushqimin e përditshëm por nuk arrin dot të blejë ilaçet që iu duhen domosdoshëmrisht dy fëmijëve të mitur.
Jemi 7 veta në familje. Ja dalim me të keq, punojmë nga të ketë punë. Burri nuk kanë punë bazë me rrogë, vetëm nga ti dalë. Vetë nuk mundem se kam plakun e sëmurë, është i verbër dhe ka nevojë që dikush ta qëndrojë pranë. Nuk ja dalim dot. Me gjithë pensionin e vjerrit dhe ndihmën që marr për fëmijët shkon 180 mijë lekë të vjetra. Plaku merr 105 mijë lekë. Dhe ndihmë ekonomike marr herë 50 herë 60 mijë lekë dhe këtë muaj që e rriten shkon tek 210/220.”
Standartet e një shoqërie maten edhe me mënyrën se si institucionet sillen me të pamundurit, me invalidët e të varfrit. Në Shqipëri ka një zë të dedikuar në buxhet për mbështetjen sociale. Por fondet e taksapaguesve shqiptare nuk mbërrijnë deri në këto fshatra ku vuajnë fëmijë e pleq nga probleme të rënda shëndetësore.
Shumica e popullsisë në fshatrat e Shqipërisë jetojnë në varfëri dhe të braktisur nga institucionet. Shumë prej tyre ia dalin duke u ushqyer me lista nëpër dyqanet e vogla të fshatit.
Zgjedhje pas zgjedhjesh, mandat pas mandati, qeveri pas qeverie i ka gjetur e lënë në varfëri. Siç thonë vetë banorët, politika shfaqet vetëm për të marrë vota më pas lihen në harresë.
Klithma e tyre për bukë ka pak gjasa të mbërrijë në vesh të qeverisë. Të braktisur nga pushteti, janë me shprese e lutje drejt perendisë se një ditë do të mund të ushqejnë fëmijët e tyre të çliruar nga kërcënimi nga uria. /abcbews.al/