Kryeministri Edi Rama në një dalje publike (1 orë e gjysmë me vonesë) ka deklaruar se megjithë krizën në furnizimin me energji elektrike që parashihet të godasë gjithë Evropën nuk do të rrisë çmimin e energjisë elektrike dhe as nuk do të vendosen kufizime në furnizim si për familjet ashtu dhe për biznesin e vogël. Kostot e rritura sipas tij do të mbulohen nga plani i qeverisë së tij me 3 pika (lexo).
Tërheqjen mbrapsht nga deklaratat e tij të mëparshme kur paralajmëroi fundjavën e shkuar një krizë të re që po i afrohej Shqipërisë, ajo energjetike e cila sipas tij do deduktonte në rritje të çmimit të energjisë, kryeministri e reflektoi dhe gjatë ditëve të fundit, ndërsa nisën dhe protestat e para kundër.
Prej disa ditësh, qytetarët në organizime spontane janë mbledhur para kryeministrisë kundër rritjes së fundit të çmimit të bukës dhe shumë produkteve bazë të shportës. Në rrjete sociale shumë qytetarë kanë shprehur se do të mblidhen sërish para kryeministrisë të hënën në orën 17:00 për ti dhënë fund mentalitetit të deritanishëm të qeverisjes, ku rritjet e çmimeve bëhen në forma karteliste mes sipërmarrësve të mëdhenj apo shpërdorimit dhe keqpërdorimit të resurseve natyrore nga grusht njerëzish.
Së fundmi rritje të ndjeshme kanë pasur dhe çmimet e karburanteve, ndërsa qytetarët shprehen masivisht që gjendja e tyre ekonomike ka ardhur në përkeqësim.