Në rast të mungesës së energjisë për shkak të luftës në Ukrainë këtë dimër, Gjermania dhe Franca do të mbështesin njëra-tjetrën”.

Kështu u shpreh sot presidenti francez Emmanuel Macron gjatë një bisede telefonike me kancelarin gjerman Olaf Scholz.

Macron është zotuar se vendi i tij do të sigurojë më shumë gaz për Gjermaninë, e cila mund të sigurojë energji elektrike për Francën, nëse kriza vazhdon në dimër.

“Gjermania ka nevojë për gazin tonë natyror dhe ne kemi nevojë për energji nga pjesa tjetër e Evropës, veçanërisht nga Gjermania. Ne do të përfundojmë ndërlidhjet e gazit natyror për të qenë në gjendje të dërgojmë gaz në Gjermani, nëse ka nevojë për solidaritet”, tha Macron në një konferencë për shtyp pas takimit.

Macron favorizoi vendosjen e një kufiri të çmimit për gazin rus që shpërndahet përmes tubacioneve.

“Nëse Komisioni vendos një tavan në çmimin e gazit të blerë përmes tubacioneve nga Rusia, Franca do ta mbështesë këtë masë”, tha ai.

Gjithashtu kreu i Elysse tha se ishte dakord me propozimin për të blerë gaz “bashkë” me vendet e tjera të BE-së në mënyrë që të paguhet një çmim më i ulët.

Macron zbuloi edhe idenë e tij që tregu i energjisë elektrike i Bashkimit Evropian të reformohet në afat të mesëm, kryesisht për të siguruar që çmimet e tregut të jenë më në përputhje me kostot reale të prodhimit.

Duke iu referuar ndërtimit të një gazsjellësi të ri që lidh Spanjën me Francën, Macron tha se vendi i tij dëshiron të zhvillojë të gjitha ndërlidhjet energjetike që “kanë kuptim”, por nuk sheh nevojën për një tubacion tjetër. Ai madje vuri në dukje se javët e fundit gazsjellësi Spanjë-Francë ka funksionuar me gjysmën e kapacitetit të tij dhe se Franca është ajo që eksporton gaz në Spanjë.