Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në një lidhje me emisionin “Opinion” në Tv Klan ka reaguar lidhur me shpërthimin e ndodhur në banesën e tij.
Duka tregoi se nga kamerat ka parë një person me kapuç në kokë që kishte vendosur lëndën plasëse dhe ishte larguar. Më tej ai ka treguar dhe një mesazh kërcënues që i ka mbërritur në telefon pak ditë më parë.
“Po e kam marrë një kërcënim të tillë. Nuk e kam denoncuar.”, tha Duka.
Më tej ai lexoi dhe mesazhin që i kishte mbërritur. “Ti luan me dy standarde, ti k*rvë tallesh me lekët tona, për 24 orë jep dorëheqjen ose 60 plumba i ke në kokë. Premtimi është bërë i pakthyeshëm”, është ky mesazhi që i ka shkuar kreut të FSHF në telefon.
Më tej ai u shpreh se i kishte kthyer dhe një përgjigje, ku i kishte thënë se i mjaftonte vetëm një plumb.
Po ashtu Duka tregoi se kishte gjetur dhe autorin, pasi numri ekzistonte në emër të Sabian Rrapushit.
“Kam bërë një hetim vetë dhe rezultonte se ky numër ishte përdorur edhe njëherë në një dyqan në këtu në Durrës. Ishte regjistruar në emër të një personi që kishte 1 mijë numra. Sabian Rrapushi ishte personi që e kishte këtë numër. Më luti avokati, por nuk e kam denoncuar se e di që policia nuk do të bënte gjë. Autori bredh diku me kalë”, tregoi ai.
I pyetur nëse do të rikandidoj sërish në krye të FSHF, Duka tha se nëse ngjarja e sotme është një paralajmërim për të ai nuk do të rikandidoj.
“Nëse kjo është paralajmëruese për të mos rikandiduar, nuk do të rikandidoj. Nëse nuk është paralajmëruese do ta mendoj”, tha Duka.