Deputetja Monika Kryemadhi është paraqitur në SPAK këtë të hënë për të zbatuar masën “detyrim paraqitje”.

Pasi doli nga ambientet e SPAK,  ajo tha se po punon për të rrëzuar të gjitha akuzat ndaj saj. E pyetur nëse ka komunikim me ish-presidentin Ilir Meta, Kryemadhi tha se nuk ka folur me të.

Kryemadhi: Unë jam një individ dhe politikane që vendos të përballem me padrejtësitë që bëhen. Po bëj mbrojtjen time ligjore, kam konstatuar një sërë shkeljesh ligjore të akuzës. Këto do të kundërshtohen me fakte që do të vërtetojë të kundërtën e asaj që shkruhet. Do të njiheni me të vërtetat e Monika këmbësores dhe satelitëve të gjithësisë.

A keni mundur të komunikoni me zotin Meta gjatë këtyre ditëve?

Kryemadhi: Jo nuk komunikoj me zotin Meta, zero.

Kryemadhi ankimoi në Apelin e Posaçëm vendimin për masën e sigurisë, detyrim paraqitje.

Ajo po hetohet për tre akuza, pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të ardhurash.

Ndërkohë pritet që ish-presidenti Ilir Meta do ta dorëzojë këtë të hënë ankimimin kundër vendimit të arrestit me burg.

Kujtojmë që më 23 tetor, Gjykata e Posaçme la në fuqi masën “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” të caktuar ndaj bashkëshortes së Ilir Metës, deputetes Monika Kryemadhi, për të njëjtat vepra penale, si dhe ndaj të hetuarës Ema Çoku, për pastrim parash.

Ndërkohë, u zëvendësua masa e sigurimit personal ndaj Piro Xhixhos, i hetuar për korrupsion pasiv, nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Ndërkohë për Presidentin e PL-së, Ilir Meta Gjykata caktoi masën e sigurisë arrest me burg dhe aktualisht ndodhet në burgun “313”.

Top Channel