Teksa prej një jave kanë nisur protestat në të gjithë vendin, kryeministri Edi Rama ka nisur takimet me qytetarë, apo biznese, për prezantimin e asaj që ai e ka shpallur si paketë të Rezistencës Sociale.
Paraditen e sotme, Rama së bashku me ministren e Financave Delina Ibrahimaj dhe kryebashkiaken Emirjana Sako, u ndal në takim me përfaqësues të biznesit të vogël në qytetin e Durrësit, ku gjatë gjithë kohës sulmoi qytetarët protestues, duke i quajtur ata përfaqësues të fallxhores dhe foltores.
Në një moment gjatë bisedës, Rama tha se ky nuk është momenti i duhur që ai të largohet, pasi shqiptarët janë mjaftueshëm të tronditur nga lufta dhe pasojat e saj.
“Pse tani është momenti që të iki unë? Vjen një thikë nga lufta dhe thuhet se këtë thikë po ta rrëzon Edi Rama. Është një turp, por jo ndaj meje. Po për kë qeveri flasin këta. Nuk ka pas Shqipëria qeveri që ka bërë kaq shumë për njerëzit e zakonshëm dhe për njerëzit në nevojë. Me fakte.
Dhe këto që tha ministrja janë fakte, nuk janë opinione. Gjysma e të ardhurave nga paga në Serbi shkon për sigurimet shëndetësore dhe shoqërore. Ju e dini më mirë se ata që e dëgjojnë se një pjesë të sigurimeve shëndetësore, një pjesë e paguan biznesi dhe një pjesë e paguajnë vetë”, u shpreh kreu i qeverisë.
Ndërkohë që në një tjetër moment, ai u ndal edhe te komentet me ndjekësit në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë si një shqetësim për problemet që ata kanë, për të cilat kërkojnë edhe zgjidhje.
“Nëse ti poston diçka nga Ukraina, ti ndihmon rezistencën në mënyrë simbolike, thonë ata ‘nuk kemi parë ne kryeministër që poston kështu…
A keni parë kryeministër ju që futet në komente dhe ju përgjigjet. Nuk do të shihni kryeministër kështu. Për mirë apo për keq, nuk do të shihni tjetër kryeministër kështu.
Unë nuk futem të bëj cic-mic me njerëz, por aty është mjedis i hapur, por kjo është respekt”, tha Rama gjatë takimi me biznesmenët e vegjël të Durrësit.fax