Presidenti Meta pritet në takim nga Kryeministri i Kosovës, Sh.T.Z Albin Kurti: Të konkretizohen të gjitha marrëveshjet ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Kosovës
25 nëntor 2021
Prishtinë, Kosovë
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, në kuadër të vizitës së Tij në Kosovë, u prit sot në një takim të ngrohtë nga Kryeministri, Sh. T. Z. Albin Kurti, me të cilin bashkëndanë urimet më të përzemërta me rastin e festës kombëtare, Ditës së Flamurit.
Presidenti Meta e përgëzoi Kryeministrin Kurti për zhvillimin model të zgjedhjeve lokale në Kosovë, çka përbën një shembull tjetër të maturisë demokratike të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Kreu i Shtetit vlerësoi angazhimin e Qeverisë së Kryeministrit Kurti për të nxitur dhe thelluar në të gjitha fushat marrëdhëniet strategjike dhe vëllazërore mes dy vendeve tona, si dhe vuri në pah gatishmërinë dhe vullnetin e Shqipërisë për t’i shndërruar edhe marrëdhëniet ekonomike-tregtare në të njëjtin nivel të shkëlqyer, siç janë ato politike.
Në këtë kuadër, Presidenti Meta dhe Kryeministri Kurti vlerësuan rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme, të sigurisë, si dhe për angazhimin e përbashkët në projekte infrastrukturore, që do të kenë impakt të rëndësishëm në zhvillimet ekonomike e sociale të vendeve tona, siç është ndërtimi i linjave hekurudhore Durrës – Prishtinë dhe Shkodër – Gjakovë.
Në prag të mbledhjes së përbashkët të të dy Qeverive në Elbasan, Presidenti Meta shprehu besimin dhe nevojën që marrëveshjet që janë finalizuar e do të nënshkruhen, të konkretizohen në praktikë, për t’i shërbyer në mënyrë thelbësore forcimit të lidhjeve, si dhe përmirësimit të jetës së qytetarëve tanë.
Kreu i Shtetit shqiptar shprehu mbështetjen e Tij për të gjitha nismat rajonale gjithëpërfshirëse, si Procesi i Berlinit, që garantojnë konsolidimin e bashkëpunimit ndërmjet të gjitha vendeve, faktor kyç për garantimin e stabilitetit, sigurisë dhe paqes në rajon.
Në bisedën e hapur për rëndësinë e përshpejtimit të procesit të dialogut me Serbinë, Presidenti Meta theksoi se është mjaft e rëndësishme konsultimi dhe mbështetja nga të gjitha forcat politike në Kosovë.