Kryente manovra të rrezikshme në rrugë, aksidentoi punonjësin e Policisë dhe dy mjete të Policisë, vihet në pranga 33-vjeçari me precedent të mëparshëm penal.
33-vjeçari, i ndëshkuar administrativisht edhe tri herë të tjera brenda 10 ditëve, për manovra të rrezikshme dhe gara shpejtësie në qendrat e banuara.
Policia Rrugore i pezullon lejen e drejtimit, për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë dhe qarkullim në sens të kundërt, i heq të gjitha pikët e lejes së drejtimit, e ndëshkon me vlerë maksimale 100.000 lekë të rinj dhe ndalim administrativ të mjetit për 1 muaj.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. Y., 33 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje.
Rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm, në sallën e Komandimit të DVP Tiranë kanë ardhur telefonata nga qytetarët se një mjet tip “Benz” po xhironte gomat dhe po kryente manovra të rrezikshme. Menjëherë, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë Rrugore dhe të Komisariatit të Policisë Nr. 2, të cilët i kanë bërë shenjë ndalimi drejtuesit të mjetit.
Drejtuesi i mjetit, sapo ka konstatuar shërbimet e Policisë, ka shtuar shpejtësinë duke mos iu bindur urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar.
Në ndihmë të Patrullës së Përgjithshme ka shkuar edhe Forca e Posaçme “Shqiponjat” dhe shërbimet e tjera, të cilët i kanë bllokuar rrugën automjetit, në bulevardin “Gjergj Fishta”, me qëllim që të ndalonte. Drejtuesi i mjetit përsëri nuk i është bindur urdhrit për ndalim, duke aksidentuar mjetin e Policisë dhe efektivin e “Shqiponjave” dhe më pas është larguar. Punonjësi i policisë S. L. ndodhet në spital, pasi ka marrë dëmtime të rënda në pjesën e gjymtyrëve.
Drejtuesi i mjetit ka vijuar lëvizjen me shpejtësi, duke aksidentuar dhe një mjet tjetër të Policisë, por më pas është bërë i mundur ndalimi, neutralizimi dhe prangosja e tij.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të mjetit, për veprat penale “Drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë”, “Shkatërrim i pronës” dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
fax