Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion mori të pandehur këtë të hënë kreun e Bashkisë së Libohovës, Leonard Hide.
Gjykata e Gjirokastrës më 22 janar shpalli moskopetencë për çështjen dhe ia kaloi Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion.
Sipas vendimit të siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, gjykata e Gjirokastrës ia kaloi çështjen GJKKO-së, pasi gjykata e rrethit gjyqësor është kompetente për gjykimin e veprave penale, përveç atyre që i përkasin kompetencës së Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe se GJKKO është kompetente për akuzat penale ndaj kryetarit të bashkisë.
Mësohet se marrja e tij si i pandehur nuk ka lidhje me detyrën e kryebashkiakut, por lidhet me kohën kur ka mbajtur detyrën e shefit të Seksionit të Krimeve në Komisariatin e Gjirokastrës, kohë për të cilën SPAK e akuzon se ka shpërdoruar detyrën duke lejuar përkundrejt përfitimit kultivimin e bimëve narkotike.
Sipas asaj që thuhet në dosje, në kohën që ka mbajtur postin e shefit të policisë, Hide ka pasur detyrimin ligjor për zbulimin e aktivitetit kriminal, por ka dyshime se kundrejt shpërblimeve si dhe nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të tij, ai e ka lejuar këtë aktivitet të jashtëligjshëm.
Vetë Hide ka deklaruar se është gati që të japë dorëheqjen si drejtuesi i Bashkisë së Libohovës për t’u përballur me drejtësinë.
Mësohet se përveç Hidës, në dosjen që ka marrë në dorëzim SPAK janë marrë të pandehur edhe persona të tjerë, Besnik Lila, Hajdin Musaraj, Edmond Late, Maringlen Dine, Geraldo Nela, të cilët akizohen për shpërdorim detyre.
“Gjykata çmon se kompetente për të gjykuar çështjen është Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për arsyet si më poshtë vijon:
– Së pari, në nenin 74 të Kodit të Procedurës Penale, parashikohet se: “1. Gjykata e rrethit gjyqësor është kompetente për gjykimin e veprave penale, përveç atyre që i përkasin kompetencës së Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.
– Së dyti, në nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penale, me titull, Kompetencat e Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, parashikohet se: “Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gjykon:
a) krimet e parashikuara nga nenet 230, 230/a, 230/b, 230/c, 230/ç, 231, 232, 232/a, 232/b, 233, 234, 234/a, 234/b, 244, paragrafi 2, 244/a, 245, 245/1, paragrafët 2 dhe 4, 257, 258, paragrafi 2, 259, paragrafi 2, 259/a, 260, 312, 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh, 319/e, 328 dhe 328/b të Kodit Penal;
b) çdo vepër penale e kryer nga grupi i strukturuar kriminal, organizata kriminale, organizata terroriste dhe banda e armatosur, sipas përcaktimeve të Kodit Penal;
akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, kryetarit të bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj; ç) akuzat penale kundër ish-funksionarëve të mësipërm, kur vepra është kryer gjatë ushtrimit të detyrës. Nga përmbajtja e dispozitave të mësipërme, nga interpretimi literal i tyre, nga qëllimi i ligjvënësit rezulton se Gjykata kompetente për gjykimin e akuzave kundër kryetarit të Bashkisë është Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
– Së treti, neni 525 pika 1 dhe 2 i Kodit të Procedurës Penale (dispozitë kalimtare shtuar me ligjin nr.35/2017) parashikon se: “1. Deri në krijimin e Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, çështjet penale në kompetencën lëndore të saj, sipas nenit 75/a, të Kodit të ndryshuar me këtë ligj, do të gjykohen, përkatësisht, nga Gjykata për Krimet e Rënda dhe gjykatat e rretheve gjyqësore. 2. Pas krijimit të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, çështjet në gjykim para gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm si dhe çështjet për të cilat mund të vendoset rigjykimi, do të përfundohen nga këto të fundit”. Pra, në kuptim të kësaj dispozite pas krijimit të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, çështjet gjyqësore të cilat janë në gjykim në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm duhet të përfundohen nga këto të fundit.
– Së katërti, po i njëjti qëndrim është mbajtur edhe nga vendimi njehësues nr.13, datë 04.04.2018 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Konkretisht, në kolegj është shtruar për njehësim ndër të tjera edhe çështja: ç) Si do të përcaktohet kompetenca lëndore ndërmjet gjykatave me juridiksion të përgjithshëm dhe të posaçëm penal për kërkesat dhe çështjet që janë regjistruar dhe regjistrohen për gjykim pas datës 01.08.2017 deri momentin kur të krijohet Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pra, cila gjykatë do të gjykoj çështjet rrjedhin nga veprat penale procedimi penal i të cilave ka nisur dhe do të nisë pas datës 01.08.2017?
Kolegji Penal në sentencën njehësuese lidhur me këtë çështje ka konkluduar se: “Çështjet penale të tjera, të cilat nuk përfshihen në nenin 75/a të pandryshuar të Kodit të Procedurës Penale edhe ato të përfshira në nenin 135 pika 2 të Kushtetutës, nenin 8 dhe 9 të Ligjit nr. 95/2016 dhe nenin 75/a të ndryshuar të Kodit të Procedurës Penale janë në kompetencën lëndore të gjykatave të rretheve gjyqësore dhe apeleve me juridiksion të përgjithshëm penal, deri në datën e krijimit të gjykatave të posaçme. Pas krijimit të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, çështjet në gjykim para gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm, do të përfundohen nga këto të fundit”, sipas vendimit të gjykatës së Gjirokastrës.
Top Channel