19 punonjës policie u pezulluan nga detyra dhe 2 qytetarë u lanë në masën e sigurisë detyrim paraqitje pasi sipas hetimeve nga AMP dhe Prokuroria e Korçës rezultuan se kanë konsumuar veprën penale të Vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “Falsifikim i dokumenteve”

Top Channel mëson se nga viti 2019 deri në vitin 2022 drejtues të drejtorisë vendore të kufirit dhe migracionit në Korçë dhe vartës të tyre duke shpërdoruar detyrën kanë kryer transferime fiktive të të punonjësve dhe kanë lejuar që punonjësit nëpërmjet falsifikimit të faturave të hoteleve të ndryshme të përfitojnë në mënyrë të padrejtë nga fondet e Frontex. Demi llogaritet rreth gjysmë milion euro.

Në dosjen hetimore që Top Channel disponon rezulton se nga punonjësit e policisë në nivelin drejtues, janë nxjerrë një numër i konsiderueshëm urdhra transferimi fiktivë në Stacione të ndryshme të Policisë Kufitare.

Megjithëse punonjësit planizoheshin dhe punonin në Kapshticë ata regjistroheshin sikur punonin në Shtikë dhe Leskovik për të marre pagë bonus për shkak të largësisë.  Po ashtu punonjës të ndryshëm paraqisnin në Sektorin e Financës në Departamentin e Kufirit dhe Migracionit, dokumentacione fiktive sikur akomodoheshin në hotele të ndryshme për të marrë nga FRONTEX fonde për akomodim kur në fakt rezultonte se punonjësit akomodoheshin në banesa me qera që e ndanin më shumë se 2 persona dhe pagesa mujore shkonte maksimumi 200 euro.

Me fatura të falsifikuara hetimi ka zbuluar se janë lëvruar shuma në euro, të cilat përfshinin shpenzime akomodimi, fjetje, apo dieta të ndryshme. Po ashtu është konstatuar një fryrje e ditëve të shërbimit pranë FRONTEX ku nga 10 – 14 ditë punë punonjësit deklaronin se kishin punuar 30 ditë.

Sipas rregullave të FRONTEX përveç pagës punonjësit merrnin pagese ekstra për çdo kilometër largësi, 30 euro për ushqim ditor dhe 40 euro për strehim. Hetimet vazhdojnë me qëllim nxjerrjen para përgjegjësisë ligjore dhe të personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari të kundraligjshme.

Top Channel