Dy vëllezër janë vënë në prangat e policisë pasi akuzohen se kanë kthyer lokalin në vend përdorimi drogë.
Kapja e tyre u bë falë operacionit policor të koduar “Poker 6”.
Sakaq është shpallur në kërkim pronari i një lokali tjetër, Leoni Haxhaj në fshatin Bajzë të Malësisë së Madhe, pasi kishte përshtatur lokalin e tij, për organizimin e lojës poker dhe lojës me makineta.
Sekuestrohen një sasi lënde narkotike kokainë, 5 makineri elektronike, një tavolinë pokeri dhe sende të tjera të kundërligjshme.
“U arrestuan në flagrancë shtetasit: Emanuel Popaj, 27 vjeç dhe Gabriel Popaj 22 vjeç (vëllezër), banues në fshatin Vukpalaj, Malësi e Madhe, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Fshehja e të ardhurave”, “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarise kriminale”, kryer në bashkëpunim.”, njofton policia.
Këta shtetas kishin përshtatur lokalin e tyre, në fshatin Vukpalaj, për përdorim droge dhe organizim të lojërave të fatit.
Gjatë kontrollit në ambientet e lokalit, Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe 2 makineta që shërbenin për lojërat e fatit.