Tre burra mbetën të plagosur gjatë një përleshjeje me sëpata e shpata samurai në Merseyside të Anglisë, vetëm pak metra larg shtëpive të futbollistëve të Premier League.
Shërbimet e urgjencës u thirrën në plazhin e Formby ku kishte shpërthyer një “luftë e organizuar”, siç thotë shtypi vendas. Dëshmitarët okularë tregojnë se një burrë u sulmua me shpatë, e djali që po e humbte përballjen nxori sëpatën e goditi kundërshtarin. “Shoku i tij kishte gati një shpatë samurai dhe e përdori. Ishte e tmerrshme”, rrëfejnë ata.
Forcat e policisë mbërritën me shpejtësi në vendngjarje ku shpresojnë të marrin sa më shumë informacione nga njerëzit e pranishëm. Për shkak të kohës së mirë, në plazh kishin vërshuar shumë pushues. Një prej efektivëve, Mark Baker tha se është e tmerrshme që diçka e tillë kaq e rëndë ndodh në mes të një zone të mbushur me njerëz.
“Krime të tilla nuk kanë vend në shoqërinë tonë dhe do të bëjmë ç’është e mundur që shkelësit të dalin përpara drejtësisë”, shtoi ai. Mendohet se në incident ka pasur edhe individë të tjerë të përfshirë, të cilët kanë arritur të largohen.