Janë mbyllur ndeshjet e javës së 34-të të kampionatit shqiptarë, ku Dinamo tashmë bie në Kategorinë e Parë, pasi nuk ia doli të fitonte ndaj Kukësin në “Kukës Arena”.

Verilindorët ia dolën të sigurojnë një fitore të rëndësishme për një vend në Europë, pasi goli i Edison Ndrecës në minutat e fundit do të rikthente të besuarit e Diego Longos te fitorja.

Me këtë fitore skuadra e Kukësit ngjitet në vendin e 4-të të renditjes, teksa barazon me pikë Vllazninë e cila humbi Klasiken e Shqipërisë përballë Tiranës, me bardheblutë që triumfuan me shifrat 3-1.

Fitore për vendin e 3-të siguroi Partizani përballë Egnatias, me demat që triumfuan me rezultatin 1-0, teksa goli i vetëm u shënua nga Anarildo Rrapaj në minutat shtesë të pjesë së parë.

Me këtë fitore të besuarit e Dritan Mehmetit shkojnë në kuotën e 52-pikëve, 3 më shumë se Kukësi dhe Vllaznia dhe 6 më shumë se Teuta që fitoi me rezultat minimal ndaj Kastriotit.

Golin për durrsakët e shënoi në minutën e 77-të Rubin Hebaj, teksa rikthen në garë për vendin e katërt të besuarit e Renato Arapit.

Pa shumë histori u mbyll edhe takimi mes Laçit dhe Skënderbeut, me vendasit që fituan me shifrat 2-1 duke vazhduar kështu edhe serinë e fitoreve në kampionat.