Qarku i Kukësit këtë mbrëmje është përfshirë nga reshje të dendura shiu në zonat e ulëta dhe borë në zonat mbi 800 m mbi nivelin e detit. Reshjet po shoqërohen me erëra të forta të cilat në orët në vijim mund të sjellin edhe problematika në furnizimin me energji elektrike në zonat malore.

Si pasojë e reshjeve ka rënie gurësh dhe bllokim tumbinash në akset nacionale ndërsa në akset turistike Kukës-Shishtavec dhe Bajram Curri-Valbonë ka reshje bore. Kompanitë kontraktore po punojnë për mbajtjen funksionale të këtyre dy akseve nacionale dhe rrugëve të tjera. Në rrugën e kombit nga Morina deri tek Tuneli i Kalimashit lëvizja e mjeteve bëhet pa probleme dhe lëvizja bëhet me praninë e rënies së reshjeve të shiut ndaj duhet kujdes nga përdoruesit e rrugës. Në një njoftim të fundit kompania e mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit ju bën thirrje drejtuesëve të mjeteve që gjatë udhëtimit të kenë me vete paijsjet dhe gomat pasi nesër pritet që rruga e kombit të përfshihet nga reshjet e borës.

Kompania njoftoi se janë marrë të gjitha masat për kriposje, patrullim, mjete borëpastruese dhe për largimin e gurëve e inerteve në segmentet ku mund të ketë rënie të tyre në orët në vijim. Reshjet ndërkohë kanë rritur nivelin e liqenit të Fierzës. Niveli aktualisht është 284.97 m, prurjet 250 m3/sek. Për momentin janë tre turbina në punë.