Kukullat Labubu janë kthyer në një trend botëror për fëmijë e të rritur për shkak të pamjes së tyre të pazakontë, si monstra të vegjël me push por me pamje të frikshme.
Një postim në Facebook i Jimmy Levy (personalitet në rrjetet sociale nga SHBA, i njohur për mesazhet kundër sistemit “anti-establishment”, sidomos gjatë periudhës së pandemisë ku u bë i njohur me deklarata kundër vaksinave dhe teorive konspirative), ka shkaktuar debat të madh online.
Ai paralajmëron prindërit për kukullat Labubu, të përhapura shumë kohët e fundit. Levy e quan lodrën “tërësisht demonike” dhe shpreh shqetësimin se po bëhet trend mes fëmijëve.
Në postim, ai e krahason pamjen e Labubu me një ilustrim të demonit mitologjik “Pazuzu”, duke sugjeruar ngjashmëri shqetësuese mes tyre. “Thoni që jam i çmendur, por diçka tek këto lodra është demonike,” shkruan Levy, duke u bërë thirrje prindërve të jenë të kujdesshëm.

Postimi ka marrë mbi 20 mijë reagime, 6.100 komente dhe është shpërndarë më shumë se 10 mijë herë, duke ndezur një debat të madh mes atyre që ndajnë të njëjtin shqetësim dhe të tjerëve që e konsiderojnë krahasimin të ekzagjeruar.