Pjesëmarrja në një kampionat botëror për Shqipërinë është një ëndërr e madhe, sa herë pas here duket e pabesueshme se në një moment mund t’ja dalim.

Shorti i Botërorit të 2026-s na vuri përballë 4 skuadrave në një grup me 5 ekipe, ku dy prej tyre konsiderohen si më të favorshme për ne, Letonia dhe Andorra.

Dy të tjerat një sfidë për të cilën na duhen shumë gjëra për t’ja dalë dhe mbi të gjitha fat. Bëhet fjalë për kokën e grupit Anglinë. Me ishullorët hapim këto eliminatore Botërori më 26 mars në ”Wembley” dhe i mbyllim po me ata në Arenën kombëtare të Tiranës më 16 nëntor.

Përballë “3 luanëve” kemi qenë 6 herë në histori dhe kemi po kaq humbje. Ndaj tyre kuqezinjtë kanë pësuar edhe humbje të thella duke mos na lënë asnjë shans apo mundësi aludimi se mund edhe të kishim bërë diçka më shumë. Megjithatë, e pranueshme kur bëhet fjalë për një ndër 4-5 skuadra më të forta të historisë së futbollit botërorë.

Ndërkohë Serbia është ajo që është, me shumë probleme jashtë futbollit që i kanë shkaktuar gjithmonë ata, apo atë që shkaktuan në 2014 në Beograd, për t’i mbetur si njollë turpi në historinë e tyre. Dhe nisur nga ai precedent, do të jetë e vështirë që të shohim cilësinë, mënyrën e lojës, veç ambientit dhe trysnisë jo sportive që ka kjo ndeshje.

Në dy përballjet me ta kemi një ndeshje ku ata fituan 0-2 në Elbasan Arena dhe një 42 minutësh të ndeshjes të shumë përfolur që ata e humbën në tavolinë 0-3 në favorin tonë dhe statistikisht kemi një humbje dhe një fitore përballë tyre.

Do të vijnë në Tiranë më 7 qershor si ndeshja e tretë e grupit pas Anglisë dhe Andorrës dhe do të udhëtojmë ne në Beograd 11 tetor, të dyja ndeshjet pa tifozë udhëtues ashtu si ndodhi edhe në eliminatore e Europianit të 2016-s.

Në të vërtetë me këtë të fundit ne do të ndajmë me shumë gjasë sfidën për një vend kualifikues në Botërorin e ëndërruar, në vendin e premtuar Amerikë. Por edhe pse në letër dhe vazot poshtë nesh na bëjnë të mendojmë se do të kemi në grup dhe dy skuadra të thjeshta për t’i marrë pikë si Letonia dhe Andorra. Me këtë të fundit kemi një bilanc pozitiv ku në 7 ndeshje kemi 5 fitore një barazim dhe një humbje.

Ndërkohë që me Letoninë, të cilën sot në letër e shohim dhe e kemi si inferior, kemi një tjetër rekord: ndoshta jo negativ tërësisht pasi nuk kemi asnjë humbje, por ama as nuk kemi fituar asnjëherë, 5 ndeshje 5 barazime.

Vlen të kujtojmë se mes kaq shumë pengesash dhe presioni sportiv dhe jo vetëm në grupin K ku jemi, Botërori i këtij edicioni që zhvillohet në kontinentin Amerikan mes SHBA, Kanada dhe Meksikës, do të ketë një shtim të numrit të skuadrave Europiane nga 13 në 16, që do të thotë një shans më tepër edhe për ne si skuadër Europiane. Ky konsiderohet si edicioni më gjithëpërfshirës i të gjithë edicioneve të Kupave të Botës deri më tani, me gjithsej 48 ekipe.

Faza e grupeve kualifikuese të zonës Europiane ku jemi edhe ne, pjesë të UEFA-s, do të fillojë ndeshjet në mars 2025 dhe do të përfundojë në nëntor po të vitit të ardhshëm, 2025. Turneu do të ndjekë një format të njohur, me 12 grupe me katër ose pesë skuadra dhe fituesit e grupeve që sigurojnë një vend në fazën finale.

Katër vendet e mbetura do të vendosen në mars të vitit 2026 në një play-off me 16 ekipe që përfshin 12 vendet e dyta të grupeve dhe katër fituesit më të mirë të grupeve të Ligës së Kombeve UEFA 2024-2025, të cilët as nuk janë kualifikuar drejtpërdrejt në Kupën e Botës dhe as si kryesuese të grupeve.

Top Channel