Një gjykatë në Londër e specializuar për ekstradimet, mori në shqyrtim kërkesën e shtetit shqiptar për një shqiptar dhe dy anglezë të arrestuar të premten dhe të shtunën për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj.
Përpara gjykatës dolën Edmond Haxhia, Stephen Hunt dhe Thomas Mithan.
Një zëdhënës i kësaj gjykate, kontaktuar nga gazetari Top Channel Muhamed Veliu dha detajet e seancës të parë të ekstradimit.
Ai tha: “Gjykatësja e distriktit të Londrës Neeta Minhas e quajti të drejtë kërkesën e Shqipërisë dhe vendosi si masë sigurie arrestin me burg. Sikurse vendosi që seanca e radhës për këtë kërkesë ekstradimi të mbahet me 5 Maj. Gjyqtarja Neeta Minhas refuzoi aplikimin për liri me kusht nga mbrojtja e Thomas Mithan” deklaroi zëdhënësi gjykatës.
Sipas ligjit të ekstradimit anglez, shteti kërkues në këtë rast Shqipëria ka 45 ditë kohë brenda të cilës duhet të dërgojë dosjen me provat dhe garancitë për një gjyq të drejtë për personat që kërkon të ekstradojë.
Harriet Bridgeman, e arrestuara e katërt paraditen e të shtunës do të dalë përpara kësaj gjykate të Hënën.