Tensioni i ulët i gjakut, i njohur në gjuhën mjekësore si hipotensioni është një gjendje shëndetësore në të cilën presioni i gjakut në trup është aq i ulët sa shkakton marramendje, lodhje dhe këputje, gjendje të fikti, vështirësi në frymëmarrje, shikim të paqartë, të vjella, rrahje të shpejta të zemrës etj.

Krahas konsultës mjekësore që patjetër është hapi kryesor që duhet të ndërmerrni në rastet e problemeve akute me tensionin e ulët, ka disa mënyra krejt natyrale përmes ushqimit të cilat ndikojnë menjëherë në mbajtjen e presionit të gjakut të balancuar.

Këto kura të thjeshta por të fuqishme në efekte lehtësojnë dukshëm komplikacionet shëndetësore që shkakton tensioni i ulët në gjak.

AgroWeb.org rendit më poshtë një listë me ushqimet dhe trajtimet më të mira natyrale në shtëpi për trajtimin e tensionit të ulët.

Ujë me kripë

Uji me kripë ndihmon në trajtimin e tensionit të ulët pasi elementi i sodiumit që gjendet tek kripa nxit rritjen e presionit të gjakut.

Për këtë kurë, ju mjafton të hidhni një gjysmë luge çaji me kripë në një gotë me ujë  dhe pijeni kur ndjeni se keni tension të ulët.

Kafja

Konsumimi i kafesë apo edhe çokollatës së ngrohtë rrit në mënyrë të përkohshme presionin e gjakut.

Nëse ju vuani në mënyrë të shpeshtë nga tensioni i ulët mund të konsumoni një filxhan kafe çdo mëngjes ose gjatë kohës së ndërmjetme të vakteve ushqimore.

Rrushi i Thatë

Që në lashtësi, rrushi i thatë është përdorur si një kurë natyrale për trajtimin e tensionit të ulët.

Hidhni në një gotë me ujë 30-40 kokrra rrush të thatë.

Lërini gjatë natës dhe konsumojini në mëngjes me stomak bosh.

AgroWeb.org ju këshillon të konsumoni gjithashtu edhe ujin e tyre.

Këtë kurë mund ta përsërisni për disa javë ose edhe një muaj.

Borziloku

Borziloku është i pasur në veti mirëbërëse për organizmin përfshirë edhe në mbajtjen e presionit të gjakut në kontroll.

Gjethet e tij janë të pasura me Vitaminë C, Magnez dhe Kalium. Ai ndihmon në qetësimin e mendjes ashtu si edhe reduktimin e stresit.

AgroWeb.org ju këshillon të zieni 15 gjethe borziloku për disa minuta në një filxhan çaji me ujë.

Lëreni derisa të ftohet. Shtoni në të, një lugë çaji me mjaltë dhe konsumojeni këtë pije me stomak bosh çdo ditë.

Gjithashtu, ju mund të përtypni edhe 4 apo 5 gjethe borziloku të freskëta çdo mëngjes./AgroWeb.org