Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë sot se termi vetëmenaxhim në marrëveshjen e dakorduar me Serbinë i përket Konvetës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Sipas tij, marrëveshja e panënshkruar me Serbinë është dashur të fillojë që dje.

Ndërkaq, Kurti nuk ka dhënë një përgjigje të qartë nëse këtë marrëveshje do të dërgojë në Kuvend për ratifikim, pa qenë e nënshkruar nga palët. Këto komente Kurti i ka bërë para gazetarëve, pas pjesëmarrjes në konferencën e dytë nacionale për shënimin e Ditës Botërore të Punës Sociale.

“Ne do të jemi në kontakt të vazhdueshëm me ndërmjetësit evropianë. Me partnerët tanë amerikanë që i falënderojmë për kontributin, gjithashtu jemi në komunikim të vazhdueshëm dhe do të duhej që atë formulimin për vetmenaxhimin e komunitetit serb të adresojmë çështjet të cilat na paskan ngelur pa u përmbushur. Për ne siç e kam thënë edhe në Kuvend, bëhet fjalë për një formulimi i cili i përket në mënyrë shumë besnike dhe të saktë Konventës Kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare, sipas Këshillit të Evropës”, tha ai.

Sipas tij, Serbia nuk mund të flasë kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, ndaj për këtë Kurti pati një thirrje drejtuar komunitetit ndërkombëtar:

“Pres nga faktorët ndërkombëtarë që ta gjykojnë e ta dënojë sjelljen e Serbisë e cila kur zhvillohen takime thotë se nuk nënshkruaj e ndërmjet takimeve thotë nuk zbatoj gjë. Nuk mund të flasë kështu pala tjetër kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, nuk mund të flasë sikur kurrë s’do ta njohë Kosovën meqenëse marrëveshja bazë është njohje de facto. Kjo është thelbësore për procesin dhe është e rëndësishme që të gjithë aleatët, miqtë tanë, të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës kur ne jemi konstruktivë e të përkushtuar e kreativë si asnjëherë”,  tha Kurti.