Kosova feston sot 14 vjetorin e pavarësisë së Saj. Në fjalën e tij Kurti ka thënë sot se sot Kosova është vendi i të gjithë qytetarëve ku u garantohen të drejtat dhe liritë.
Gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e parakalimit të FSK-së dhe Policisë së Kosovës, Kurti tha se kjo është një ditë e rëndësishme për të gjithë qytetarët.
“Në këtë ditë të rëndësishme bashkohemi të gjithë me dashurinë për vendin tonë, për shtetin tonë të pavarur dhe të përbashkët sovran dhe demokratik. Shteti i Kosovës është vend i gjithë qytetarëve të saj, të barabartë para ligjit dhe ku garantohen të drejtat dhe liritë”, tha ai.
Kurti pohoi se Kosova është e përcaktuar për anëtarësimin në institucionet euroatlantike NATO dhe BE.
“Republika e Kosovës është e përcaktuar për anëtarësimin në institucionet euroatlantike në NATO dhe në BE dhe çdo ditë punojmë për të dëshmuar përkushtimin tonë në këtë drejtim dhe për të ecur në këtë rrugë të drejtë. Evropa është horizonti ynë i përkatësisë së të jetuarit, ndërsa NATO-ja është kushti i paqes për të gjithë neve”, ka thënë Albin Kurti.
Ndër të tjera kryeministri ka kujtuar heronjtë dhe të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
“Rrugëtimi i popullit tonë deri në këtë ditë ishte i gjatë dhe i mundimshëm por edhe përplotë më krenari dhe me nder. Sot i kujtojmë heronjtë tanë që dhanë më të shtrenjtën dhe të çmuarën jetën e tyre, për atë që është më e shtrenjta dhe e më e çmuara për popullin tonë, lirinë e tij. Sot kujtojmë vuajtjen, flijimin e heronjve tanë. Atyre që na kujtojnë se sa e shenjt është liria dhe sa e bukur është të jesh i lirë”, ka thënë ai.