Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi pritet të zhvillojë sot një mbledhje me drejtorët e Policisë në qarqe dhe drejtorët e departamenteve. Mësohet se mbledhja do të nisë rreth orën 16:00.

Në këtë takim Çuçi pritet të prezantojë edhe drejtorin e ri të Policisë së Shtetit pas shkarkimit të Gledis Nanos.

Emri më i përfolur që pritet të vendoset në kupolën e Policisë së Shtetit është ai i Muhamet Rrumbullakut.

Ai mban gradën Drejtues i Parë dhe deri në 2013 ka qenë zëvendësdrejtor i Përgjithshëm. Më pas ai pati një shkëputje nga policia për t’u rikthyer si këshilltar i ministrit  të qeverisë së përkohshme Dritan Demiraj në vitin 2017.

Nga 2019 deri para dy javësh ai ka mbajtur postin e drejtorit të Agjencisë së mbikëqyrjes policore, ish-SHÇBA. Në nëntor të 2020, Muhamet Rrumbullaku u konfirmua nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit për të trija shtyllat pasuria, pastërtia e figurës dhe aftësitë profesionale.