Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj, e cila mori një mandat në zgjedhjet e 11 majit, tha se pritshmëritë ishin më të larta. Në një intervistë për “Sot Live në Shqipëri”, ai tha se përtej kësaj, ata arritën që të dilnin forcë e tretë.

Sipas tij, në aspektin e partisë, kanë hedhur themele të shëndosha për rrugëtimin politik, por në aspektin e atdheut, nuk arritën që të realizojnë atë që mendonin. Për këtë, Lapaj deklaroi se ndjen përgjegjësi dhe se do të bëjë reflektimet e duhura në raport me qytetarët.

“Pritshmëritë ishin më të larta, puna që kemi bërë ka qenë për rezultat më të lartë por kjo lidhet me vullnetin e qytetarëve pasi është një angazhim që në fund fare varet nga qytetari dhe jo vetëm nga performanca jote. Nuk është sport individual. Nëse pyesim a jemi në pritshmëritë që kishim, përgjigjia është jo.

Nëse i referohemi rezultateve të tranzicionit shqiptar, jemi forca e parë politike në të gjithë tranzicionit shqiptar, si forcë antisistem, ka marrë një rezultat të tillë, në numër votash janë 64 268 vota, jemi renditur nga 3 garuese, është renditur i treti në vetëm 8 muaj jetë politike.

Në aspektin e lëvizjes janë hedhur themele të shëndosha për një rrugëtim të ardhshëm pozitiv, në raport me atdheun s’e kemi realizuar atë për të cilën e kemi nisur. Dhe për këtë ndjej përgjegjësinë time dhe po bëj reflektimet e duhura.”, u shpreh Lapaj.

I pyetur nëse do t’i njohin zgjedhjet, Lapaj tha se do të flasë në fund të procesit. Ai ripërsëriti një deklaratë të tij se sistemin aktual e njeh, pavarësisht se ka rezerva, dhe se ka garuar për ta ndryshuar. Lapaj tha se as fajtor nuk e bën popullin, pasi përndryshe do të largohej nga politika.

“Pyetje që duhet të bëhet më vonë se procesi është ende në vazhdimësi. Nesër hapet një nga kutitë e Vlorës, pasnesër kemi seancën për hapjen e kutive të Fierit, për të parë rinumërimin. Në këtë drejtim procesin e kemi në vazhdimësi. Unë e kam thënë edhe para zgjedhjeve se bëj pjesë te ata njerëz që e njoh sistemin si është dhe po garoj për ta ndryshuar aq sa mundem. Nuk dal dot sot dhe të them se nuk i dija këto probleme. Janë problem që kanë ekzistuar por është e padrejtë që të mos themi se kanë ndodhur në këto zgjedhje.

Në fund të procesit do të shprehemi zyrtarisht, por ato që janë fakte në këtë proces, që janë tej çdo standardi për integrimin evropian, është fakt që qeveria dy ditë par zgjedhjeve fali gjobat e viteve të fundit. Me këtë standard nuk arrin dot ta mundësh një qeveri që vendos të blejë zgjedhjet përmes ligjit. Mos prit nga unë që të bëj me faj popullin se në ditën që do ta bëj këtë, largohem nga politika. Nuk ka logjikë.

Ajo që duhet thënë se betejën e kam me intelektualët e Shqipërisë që në rastin më të mirë konformohen dhe në rastin më të keq shiten për t’u bërë palë me sistemin”, shtoi Lapaj.