Artur Rrapaj, një 37 vjeçar me origjinë nga Fieri në Shqipëri, u kap më 8 shkurt në Ekuador në një operacion të përbashkët të Policisë ekuadoriane dhe kolumbiane. Ai ndodhej në shtëpinë e një prej trafikantëve vendas më të kërkuar në botë, Emilio Sánchez Farfán.

I njohur dhe me nofkën “El Gato” u prangos në Pasto të Kolumbisë, teksa i jepte makinës i vetëm. Tre bastisje u kryen në pronat e tij dhe në njërën prej shtëpive u zbulua dhe shqiptari Artur Rrapaj, të cilin mediat vendase e konsiderojnë si pjesë e mafies shqiptare në Ekuador.

“Shqiptari, me një pasaportë të skaduar dhe i ndaluar në një shtëpi në pronësi të Farfanit, në Samborondón, kishte me vete 319 mijë dollarë, telefona satelitorë dhe pajisje GPS”, shkruan media ekuadoriane Expreso.

Sipas organeve të drejtësisë, Artur Rrapaj ndodhet aktualisht në paraburgim për veprën e dyshuar të pasurimit të paligjshëm. Megjithatë, gjatë seancës, mbrojtja e fierakut, i cili ka rrënjë sociale në Ekuador, u justifikua se paratë e gjetura në zotërim ishin pjesë e një kredie që ai i kishte dhënë një kompanie me kapital 10 milionë dollarë, por deri në atë moment 37 vjeçari s’ka paraqitur dokumentacion.

“Rrapaj ka lindur më 15 mars 1986 në qytetin e Fierit, një nga qendrat kryesore industriale të Shqipërisë, që ndodhet në verilindje të atij vendi”, vijon shkrimi.