Gazeta e përditshme malazeze “Pojeba” thotë se ka zbardhur një skandal të madh që përfshinë tre shtete të Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë thyer embargon e vendosur nga Bashkimi Evropian për Rusinë. Sipas artikullit, tonelata me pleh kimik dhe grurë janë shkëmbyer mes Rusisë dhe Serbisë.
Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia janë tre shtetet që referuar shkrimit, kanë thyer embargon evropiane dhe kanë lejuar që plehu kimik i ardhur nga Rusia në Portin e Durrësit, përmes doganës së Hanit të Hotit ka hyrë në Malin e Zi dhe prej andej ka përfunduar në Serbi.
Ndërkohë, Beogradi nga ana tjetër ka transportuar po me kamionë dhjetëra ton grurë, në të njëjtën rrugë dhe me destinacion fundor Rusinë.
“Nga anijet në Portin e Durrësit në Shqipëri, plehu ngarkohej në kamionë në thasë të mëdhenj (jumbo) që mbanin disa qindra kilogramë, të cilët nuk shënonin vendin e origjinës së mallit dhe përbërjen e lëndës së parë. Për të fshehur gjurmën se malli vinte nga Rusia, ndërmjetësues zyrtar në shitje ishte një kompani e madhe nga Shqipëria”, thotë artikulli.
Por, cila është kjo kompani që ka dalë garant për fshehjen e origjinës së mallit të ardhur nga Federata Ruse?! Media në fjalë ka publikuar dhe një faturë zhdoganimi, e cila është në gjuhën shqipe, e prerë në Portin e Durrësit dhe me destinacion malli të shkruar qartë: Federata RUSE.
“Burimet e gazetës sonë nuk mund të specifikojnë se sa ton pleh janë transportuar nga Rusia, nëpërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, drejt Serbisë, por janë kategorike se shkelja e sanksioneve ka zgjatur për disa muaj. Sipas këtyre informacioneve, që nga prilli, kur Mali i Zi vendosi sanksionet, deri më tani rreth 4500 kamionë kanë ndjekur rrugën e vendosur, ndërsa vetëm nga 1 dhjetori deri në një ditë tjetër janë regjistruar mbi 100 kamionë në tranzit.
I gjithë operacioni u projektua dhe u krye me dijeninë e autoriteteve të Beogradit, Tiranës dhe Podgoricës dhe kontraktorët ishin njerëz shumë të afërt me autoritetet e këtyre tre vendeve. Bashkëbiseduesi i Pobjedës nga Serbia tregon se për këto lloj operacionesh është punësuar një ekip rreth Andrej Vuçiqit, vëllait të presidentit të Serbisë, i cili në masë të madhe kontrollon qarkullimin e mallrave dhe parave në atë vend”, thotë shkrimi.