Sot në Elbasan u zhvillua një tjetër seancë e proçesit për vrasjen e mjekut Pjerin Xhuvani. U dëgjuan dëshmitë edhe të dy punonjësve të policisë. Që të dy thanë se pranë viktimës dhe vrasësit kishte turmë. Pyetjes nëse do të njihnin dikë në atë turmë përgjigjia ishte jo. Arsyetimi që bën tani, në mënyrë provokuese, mbi këtë aspekt të turmës avokate Rezarta Tahiraj që në këtë proçes ka rolin e Palës civile në përfaqësim të familjarëve të viktimës: “nëse policët që punojnë dhe ndoshta edhe banojnë në Elbasan nuk njohin asnjë në atë turmë kupton shumë se ndoshta ata persona kishin ardhur nga qytete dhe fshatra të tjera dhe sigurisht nuk ishin turistë dhe nuk ishin sigurisht as edhe miqtë e viktimës që kishte mbërritur aty në makinë i shoqëruar vetëm nga dhëndri i tij dhe nga një person tjetër”. Me këtë arsyetim avokate Tahiraj bën të imagjinojë se turma e parë nga dy punonjësit e policisë mund të jetë krijuar nga komponentët e skuadrës paramilitare të mbrojtjes së votës dhe nga bashkëpunëtorët e tyre hipotetikë.
Përsa i përket të rejave të mundshme në referim me sinjalizimin e një hipoteze të rrezikut të jetës për një dëshmitar që i është dërguar Prokurorisë pikërisht nga avokate Tahiraj, përfaqësuesja ligjore e familjes së viktimës deklaroi se nuk ka dhe nuk pret përgjigje: “Do të jetë Prokuroria që do të vendosë nëse aktivizohet për ti kërkuar autoriteteve kompetente mbrojtjen e këtij dëshmitari dhe do të jetë gjithmonë Prokuroria të vendosë nëse dhe si të përdorë bashkëpunimin e dëshmitarit. Mund të jetë e dobishme në ofrimin e elementëve të dobishëm për të krijuar një identikit të personave për tu kërkuar ose ndoshta për të gjetur fytyrat e tyre ndër qindra fotografi. Personalisht jam e bindur – komentoi avokate Tahiraj – se ai dëshmitar është shumë i çmueshëm për aktivitetin investigativ të Prokurorisë mbi këtë rast. Në seancë ai tha që dy personat për tu kërkuar ishin të armatosur me pistoletë. Dëshmitari nuk diti të tregojë markën dhe kalibrin e atyre pistoletave, sepse mendoj se nuk është një ekspert armësh, por që ata persona ishin në posedim të atyre armëve e tha në mënyrë të qartë. Kjo specifikë është një veçori rënduese që shton urgjencën për nevojën e identifikimit për rrezikun që kanë treguar në atë rrethanë me posedimin e atyre pistoletave dhe me faktin se ndoshta i përkasin pikërisht ato armë dhe plumba të gjetur në vendin e vrasjes me një kalibër të ndryshëm nga pistoleta e vrasësit”.
Tahiraj sqaron se nuk është avokati mbrojtës i dëshmitarit: “Nuk e njoh. Nuk di asgjë për të. E kam parë një herë në seancën e proçesit gjyqësor. Edhe nëse do më kërkonte që ta mbroja atë si avokat do ta refuzoja. Rasti i tij është i zakonshëm, i thjeshtë dhe unë, që kam zgjedhur të jam avokat për pasion, mund të kem vetëm raste interesante dhe të vështira. Si shtetase – thotë Tahiraj – detyra ime përfundon me sinjalizimin në Prokurori të rrezikut të mundshëm për atë dëshmitar. Çdo vendim pasues është jashtë kompetencave të mia”.
Nevojitet të evidentohet se ai dëshmitar është i çmueshëm edhe në proçes. “Kjo nuk mund të mohohet – pohon avokate Tahiraj. Mendohet, për shembull, kur ka thënë se viktima nuk e kishte ofenduar vrasësin e tij dhe asnjë person tjetër prezent në vendin e vrasjes. Fjalët e asaj dëshmie – përfundon Tahiraj – janë sigurisht një kontribut i rëndësishëm në kuptimin e zhvillimit të fakteve dhe verifikimit të së vërtetës dhe të përgjegjësive por mund të jenë edhe një ndihmë në punën e Prokurorisë që, duke përdorur disponibilitetin për të bashkëpunuar të dëshmitarit, do të mund tja dali që të çojë në proçes ata persona të armatosur ende të paidentifikuar”.