Ka përfunduar procesi i numërimit në primaret e PD në disa prej bashkive më të rëndësishme të vendit.
Enigma e vetme mbetet Tiranë, ndërkohë që në Shkodër është rikonfirmuar krybashkiaku aktual Bardh Spahia, në Elbasan kandidat i PD do të jetë Luçiano Boçi, ndërsa në Durrës triumfon Igli Cara.
Në tre qendra votimi në Shkodër, Spahia mori 1386 vota pro, 6 kundër, ndërsa 5 rezultuan të pavlefshme.
Ndërsa Boçi mori 2168 vota pro, 7 kundra dhe 3 të pavlefshme. Sa i takon Igli Carës, ky i fundit mori 1399 vota pro, 299 i mori rivali i tij Dervishi, ndërsa 3 rezultuan të pavlefshme.
Në Fier ka balotazh, ku do të duhet të votohet sërish për të zgjedhur mes dy rivalëve, Evdar Kodhelit dhe Artur Mahmutajt.
Në Vaun e Dejës morën pjesë 856 votues, ku deputeti Zef Hila mori 722 vota duke u konfirmuar si fitues i primareve dhe kandidat për bashkinë. Rivali i tij Kol Shaba mori 142 vota.
Eduart Sharka fiton garën brenda PD në Lushnjë me 1021 vota, duke u shpallur kandidat i kësaj force politike në zgjedhjet për kreun e bashkisë.
Ndërkaq, në bashkinë Gjirokastër rezultoi fitues Dorjan Lani me 291 vota, pas tij Enkelejda Mushi me 48 vota dhe Telnis Skuqi me 34 vota.
Në Korçë ka fituar Ledina Alolli, në Maliq Alfred Gega, Elvis Hajderelli në Devoll, Zihni Tollozhina në Pogradec, Ethem Lumani në Kolonjë, ndërsa Pusteci i është lënë partive aleate.
Në Kuçovë ka fituar kandidati i Partisë së Lirisë Lefter Maliqi.
Në Këlcyrë, rezultoi fitues Arjan Kasaj me 171 vota, përballë Edmond Nanos me 39 vota, ndërsa një votë rezultoi e pavlefshme.
Në Libohovë, 282 pjesëmarrës kanë votuar në bllok kandidatin e vetëm Adil Xhelili.
(17:30)
Në disa prej bashkive ka nisur procesi i numërimit të votave për primaret e PD, ndërsa në të tjera votimi është shtyrë pas orës 18:00.
PD ka publikuar shifrat e pjesëmarrjes në votimet e primareve, ku deri në orën 17:00 kanë votuar 51 mijë e 797 anëtarë dhe simpatizantë.
Korrespondentët e MCN TV raportojnë se në Lezhë votimi vijon ende pasi ka anëtarë dhe simpatizantë që presin për të votuar. Qendrat e votimit do të qëndrojnë hapur deri në 19:00, duke qenë se procesi nisi me 60 minuta vonesë.
Në Mirëditë dhe Kurbin procesi është mbyllur dhe pritet të nisë numërimi i votave. Ndërkaq është mbyllur procesi i primareve në Memaliaj, ku komisioni pas numërimit të votave ka konfirmuar fitues Albert Malaj me 300 votave, kundrejt Bukurosh Ajdinit, me 20 vota, ndërsa 4 rezultuan të pavlefshne.