Berisha: Sot jam para jush për të denoncuar një nga aktet më të shëmtuara dhe me pasoja më të rënda për këtë vend, presionin e jashtëzakonshëm që po bëhet mbi Gjykatën Kushtetuese për të vendosur zhvlerësimin e miliona faqeve, mesazhe dhe biseda, të sjella në përputhje me rregullin ndërkombëtar nga partnerët, agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnere, në të cilat Shqipëria faktohet si një vend që nga bodrumet e kriminelëve dhe mafies gjer në zyrën e kryeministrit, sundohet nga krimi, krimi dhe vetëm krimi.
Po përdoret në këtë kontekst si pretekst një ankesë që ka bërë i pandehuri Pëllumb Gjoka. Çdo i pandehur ka të drejtë të paraqesë në sistemin gjyqësor çdo ankesë, por Pëllumb Gjoka po përdoret vetëm si prestanome sepse në fakt prapa presionit të jashtëzakonshëm mbi Gjykatën Kushtetuese për të zhvlerësuar si dokumente të vlefshëm ligjorë 1 milion faqe, biseda dhe mesazhe midis kriminelëve, në të cilat gjenden, zbërthehen 98 përqind e vrasjeve.
Zbërthehen 95 përqind e të gjitha trafiqeve kriminale, kryesisht kokainës, kanabisit dhe trafiqeve të tjera.
Zbërthehen 90 përqind të ndërhyrjeve të qeveritarëve në tendera dhe koncesione.
Zbërthehet universi i krimit të shëmtuar kriminalo-banditesk elektoral.
Angazhimi nga Edi Rama, organizata e tij kriminale qeveri, qeveritarët vendorë, të të gjithë arsenalit mafioz të nëndheshëm kundër vullnetit të zgjedhësve në Shqipëri.
Pra, Pëllumb Gjoka po përdoret si prestanome, por e vërteta është se mbi gjykatësit kushtetues, presione nga më të paimagjinueshmet po ushtrohen nga narkoshteti me në krye Edi Ramën.
Top Channel