Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ratifikimit të marrëveshjes për emigrantët.

“Unë jam optimiste, por nuk mund të flas për atë që ndodh në një komb sovran, respektoj vendimet e një kombi sovran. Ne do të shohim se çfarë do të ndodhë në javët në vijim dhe, nëse gjithçka shkon mirë, ne do të bëjmë çmos për ta përshpejtuar më tej. Tani për tani nuk na duhet një plan B. Nëse është e nevojshme do ta kërkojmë”, deklaroi ajo për mediat.

Kujtojmë se dy ditë më parë, mbledhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese vlerësoi si të ligjshme kërkesën e 30 deputetëve të opozitës, të drejtuar nga Gazment Bardhi. Në padinë e tyre ata kërkuan pezullimin e miratimit, si hap i parë dhe më pas shfuqizimin si antikushtetues të  marrëveshjes Rama-Meloni për pritjen në Shqipëri të emigrantëve të huaj, që kapen në detin Mesdhe. Sipas opozitës, marrëveshja ka disa shkelje kushtetuese.

Në Gjykatën Kushtetuese ishte depozituar edhe një padi tjetër për këtë çështje, e firmosur nga kryetar i PD zyrtare Lulzim Basha, por burime zyrtare konfirmojnë për Top Channel se Gjykata Kushtetuese e ka kthyer për plotësim këtë kërkesë, pasi nuk mbështetet nga numri i kërkuar i deputetëve.

Kujtojmë se më 6 nëntor kryeministri Edi Rama dhe homologia italiane, Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes për emigrantët porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj.

Më 21 nëntor, Dhoma e Përfaqësuesve në Parlamentin Italian miratoi me 189 vota pro dhe 126 kundër rezolutën e mazhorancës italiane, pavarësisht kritikave të opozitës.

Top Channel