Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për rastin e gazetarit Elton Qyno, të cilit i dha të drejtë me një vendim unanim (8 me 0) ku vendosi shfuqizimin e vendimeve të gjykatave për sekuestrot e materialeve të gazetarit Qyno dhe në fund asgjësimin e tyre.

Gjykata thekson se e drejta për të mbrojtur një burim të gazetarit, si pjesë e lirisë së shtypit, është një nga elementet thelbësore të funksionimit të sistemit demokratik pluralist, megjithatë ajo mund të kufizohet vetëm me ligj për interes publik mbizotërues ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve në raport të drejtë me gjendjen që e dikton kufizimin dhe pa asgjësuar thelbin e lirisë së shtypit.

Reagimi:

Ndërsa me urdhrin e datës 14.12.2023 Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar kërkuesin për ruajtjen e sekretit, ndalimin e publikimit të akteve dhe përmbajtjes së tyre nëpërmjet shtypit dhe informacionit masiv për sa i përket procedimit penal nr. 75/2022 dhe se në rast moszbatimi ai do të mbante përgjegjësi penale, sipas nenit 295/a, paragrafët 4 dhe 5, të KP-së.

Pa pritur efektet e urdhrit për ruajtjen e sekretit dhe ndalimin e publikimit të akteve, dhe pa pasur ndonjë indicie që ky urdhër nuk do të zbatohej nga kërkuesi në cilësinë e gazetarit, prokuroria brenda pak orësh ka paraqitur në gjykatë kërkesat për kontrolle dhe sekuestrim të sendeve dhe provave materiale, kërkesa të cilat janë pranuar.

Në vlerësimin e Gjykatës dhe duke mbajtur në konsideratë qëllimet legjitime të sekuestrimit të të dhënave kompjuterike, kjo mënyrë veprimi e organit procedues (prokurorisë dhe gjykatave) nuk ka qenë në përpjestim të drejtë me gjendjen që e ka diktuar atë. Kështu, për sa i takon qëllimit legjitim të parandalimit të rrjedhjes së informacionit dhe të mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të bashkëpunëtorit të drejtësisë (qëllimi i sekuestros preventive), duket që prokuroria dhe gjykatat e zakonshme kanë vepruar pa pritur efektet e urdhrit të sekretit hetimor, dhe për rrjedhojë edhe pa analizuar përse ishte e nevojshme të përdorej me urgjencë mjeti i fundit, ai i sekuestrimit.

Po ashtu, për sa i takon qëllimit legjitim të vërtetimit të veprave penale që po hetoheshin (sekuestro provuese), gjykatat e zakonshme nuk kanë arsyetuar se përse marrja e të dhënave të nevojshme për hetimin mund të realizohej vetëm nëpërmjet identifikimit të burimit të gazetarit, si mjet i fundit dhe i vetëm, pra përse nuk ekzistonin mjete të tjera alternative për të arritur qëllimin provues të sekuestros. Gjithashtu, nga përmbajtja e këtyre vendimeve, nuk rezulton e pasqyruar as analiza e urgjencës në sekuestrimin e të dhënave kompjuterike të kërkuesit. Për më tepër, vetë kërkuesi nuk rezulton të ishte subjekt i procedimit penal, siç u pohua shprehimisht nga subjekti i interesuar në seancë plenare.

Me fjalë të tjera, gjykatat e zakonshme nuk kanë mbajtur në konsideratë se e drejta e mbrojtjes së burimeve të gazetarit nuk është thjesht një privilegj për t’u dhënë ose hequr në varësi të ligjshmërisë ose paligjshmërisë së burimeve të tyre, por është pjesë përbërëse e së drejtës për informacion, që duhet trajtuar me kujdesin më të madh dhe se urdhri për sekuestrimin e të dhënave kompjuterike potencialisht ka pasur ndikim të dëmshëm jo vetëm për kërkuesin dhe burimet e tij, por edhe për median në tërësi.

Ndonëse nga përmbajtja e vendimeve gjyqësore të kundërshtuara rezulton se është urdhëruar ruajtja dhe sekuestrimi vetëm i atyre të dhënave të cilat lidhen me veprat penale për të cilat po hetohet, ky fakt nuk përjashton cenimin e lirisë së shprehjes së kërkuesit, si masë e fundit. Gjithashtu, Gjykata vlerëson se pavarësisht deklarimeve të subjektit të interesuar (si në parashtrime, ashtu edhe gjatë seancës plenare), për mënyrën e këqyrjes të të dhënave kompjuterike, kërkuesit nuk i janë ofruar garancitë e nevojshme kushtetuese dhe konventore, me natyrë procedurale, për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe ruajtjen e burimeve të tjera të informacionit,ose materialeve konfidenciale, të cilat nuk lidhen me hetimin në fjalë, duke sjellë, për pasojë, shkeljen e kësaj lirie.

Për sa më lart, Gjykata çmon se pretendimi i kërkuesit për cenimin e lirisë së shprehjes është i bazuar, prandaj vendimet objekt shqyrtimi duhen shfuqizuar.